Kur dizajneri i famshëm i veturave, Sasha Selipanov, zbuloi hiper-veturën e tij, Nilu27, në gusht, disa gazetarë e pyetën për emrin.
Nilu është bashkim i emrave të dy vajzave të tij, Nica dhe Lucia, ndërkaq numri 27 është referencë për diçka që ai pa si fëmijë në Tbilisi.
Dimrin e vitit 1991, Gjeorgjia, që rishtazi ishte pavarësuar, ishte përfshirë në një luftë civile dhe Selipanov, që atëbotë ishte 7-vjeçar, kishte parë nga afër luftimet.
“Më kujtohet shumë mirë ajo kohë”, tha Selipanov, duke thënë se ai dhe familja e tij ishin strehuar në banesën e tyre në qendër të Tbilisit. “Kishte të shtëna me armë gjithandej, dhe [militantët] dogjën disa ndërtesa në lagje, ndër to edhe ëmbëltorja ime e preferuar u bë shkrumb e hi”.
Kur luftimet u bënë më intensive, gjyshi i Selipanovit shkoi në banesën e tyre. “Ai i tha babait tim se duhet t’i mbledhim gjërat dhe të ikim”. Teksa familja e tij me nxitim u largua nga qendra e qytetit me veturë, Selipanov tregoi se “mund të shihnim plumbat që fluturonin”.
Në banesën e gjyshërve të tij në pjesën veriore të Tbilisit, zonë relativisht e sigurt, ai nisi të eksploronte shtëpinë e tij të re dhe zbuloi një revistë të vjetër për vetura. Ai e shfletoi atë, derisa u ndal kur e pa një fotografi. Ishte një veturë garash – një Ferrari i kuq, që kishte numrin 27 të vendosur në pjesën e përparme.
Për Selipanovin, dashuria për avionët luftarakë sovjetikë u zhduk pasi e pa luftën nga afër. “Isha i mërzitur me gjithçka dhe çdo gjë dhe definitivisht nuk isha i lumtur kur e pash ushtrinë në aksion”, tha ai. Ferrari përfaqësonte diçka ndryshe.
Vetura e garave kishte një pamje agresive, sikurse e avionëve luftarakë sovjetikë, Mig-29 dhe Su-27, që Selipanovi i donte fort, por vetura nuk kishte për “qëllim vrasjen e civilëve të pafajshëm”, tha ai. “Mendova se ajo fotografi ishte e jashtëzakonshme”. Nga ai moment, Selipanov u obsesionua me veturat, por në Gjeorgjinë e asaj kohe, vetura më e mirë nëpër rrugë ishte Lada Niva, e prodhimit sovjetik.
Pasi familja e tij u zhvendos në Rusi në fillim të viteve ’90, prindërit e Selipanovit nisën një biznes të importit të ushqimeve, duke shitur ushqime të paketuara të detit. Familja kurseu mjaftueshëm sa ta dërgonte Selipanovin në Shtetet e Bashkuara më 2001, ku ai studioi në shkollën e dizajnit, ArtCenter në Kaliforni.
Pasi u diplomua, Selipanovi u punësua në Grupin Volkswagen në Gjermani, ku ai i përmirësoi aftësitë e tij, por u bë gjithnjë e më i frustruar me kufizimet e vendosura nga korporata sa i përket dizajnit.
Më pas, i priu fati.
Lamborghini pyeti nëse ekipi i dizajnit i Volkswagenit në Gjermani mund të krijonte dizajnin e interierit për super-veturën e tij të re. Pasi e luti shefin e tij që t’ia lejonte të paraqiste një dizajn, por për eksterierin e makinës, Selipanovit më në fund iu dha leje. Kur kreu i Volkswagenit e hapi dosjen e skicat e dizajnit, “ai e hapi nga ana e gabuar”.
Dizajni i Selipanovit ishte i një Lamborghini që dukej se “dëshiron t’ua djeg fshatin”. Kjo ishte skica e parë që shefi pa dhe i pëlqeu.
Selipanov u dërgua në selinë e Lamborghinit në Sant Agata të Italisë, për t’iu bashkuar ekipit italian për punën në veturën që do të njihej më pas si Huracan.
Në paraqitjen e fundit mediatike, në një podkast, Selipanov u emocionua teksa tregoi kur kishte shkuar në qytetin verior italian si një dizajner i paguar pak. “E vetmja gjë që mund të përballoja të blija ishte një tas me mocarella dhe një pako të vogël me verë të kuqe”. Kur ishte ulur në trotuar duke ngrënë, ai kujtoi se “teksa e prekja tokën, thosha me vete ja dola, jam në Mekë, më të mirët kanë ecur në këto rrugë”.
Në ditët e para të qëndrimit në Itali, ky dizajner i ri e i panjohur, të cilin askush nga ekipi i Lamborghinit nuk e kishte kërkuar, duroi “diskutime të ashpra, me grushte që përplaseshin në tavolinë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Por, gjeorgjiani tha se ai dhe ekipi i Lamborghinit shpejt u shoqëruan dhe i bashkoi dashuria e tyre për picat dhe pijet, por edhe për kulturën italiane. “Në njëfarë mënyre, ata ma kujtonin se isha gjeorgjian. Thjesht, ishin shumë njerëz të mirë”.
Shumica e skicës origjinale të Selipanovit u përdor për veturën Huracan dhe kjo veturë ishte shumë e popullarizuar, duke u shitur dhjetëra mijëra të tilla.
Selipanov më pas u emërua udhëheqës i ekipit të dizajnit të jashtëm për hiper-veturat e kompanisë franceze, Bugatti. Pasi më 2016 doli modeli i veturës Bugatti Chiron, Selipanovi skaliti emrin e tij në panteonin e dizajneve më të mira.
Vetura Chiron që dizajnoi Selipanovi është përshkruar si “vetura e fundit. Pikë”. Të gjithë 500 Bugatti Chiron që u prodhuan, që kushtojnë secila nga mbi 3 milionë dollarë, janë shitur që kur kjo veturë u lansua. Një video, që shfaq Chironin duke thyer rekordin e shpejtësisë në botë, është shikuar pothuajse 100 milionë herë.
Selipanovi u ngrit edhe më shumë në karrierë më 2019, kur u emërua udhëheqës i dizajnit në prodhues suedeze të hiper-veturave, Koenigsegg.
Pas një karriere kaq brilante, e ardhmja e Selipanovit mund të ishte një rrugë e lehtë, duke dizajnuar hiper-vetura për kompani të mëdha që kanë buxhet të madh. Por, ai zgjodhi një rrugë më të rrezikshme. Më 2023, Selipanovi dhe gruaja e tij, Inna, lansuan studion e tyre për dizajnin e makinave, Hardline27. Më pas, çifti prezantuan Nilu27.
Nilu ka bërë bujë në media për estetikën praktike, pasi nuk janë përdorur shumë dizajnet e kompjuterizuara që përdoren në shumë super-vetura. Nilu shitet për 3.7 milionë dollarë për 15 veturat e para, një çmim që sugjeron se Salipanovi mund të ketë përdorur të gjitha mjetet që ka për ta futur në treg hiper-makinën e tij.
I pyetur pse përdori të gjitha kursimet dhe orët e panumërta në një projekt kaq ambicioz, 41-vjeçari tha se për prindërit e tij, që ia kanë rrënjosur “një ndjenjë pothuajse morbide” të vlerës së çdo momenti kur ai po rritej në Gjeorgjinë sovjetike. Si Sasha, ashtu edhe vëllai i tij, Dmitry, një kompozitor i suksesshëm, u mësuan se “koha është e kufizuar dhe nëse dëshironi të arrini diçka, nuk duhet të lini që dita të kalojë pa vendosur një synim për veten tuaj dhe të arrini diçka kuptimplotë po atë ditë”.
Një ditë e humbur, tha Selipanovi, “është krimi më i madh që mund të bëni ndaj vetes”.
Përgatiti: Mimoza Sadiku