Ndërlidhjet

Vizitë vendimtare e Zelenskyt në SHBA për "planin e fitores"


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e viziton fabrikën për prodhimin e predhave të artilërisë, Scranton, në Pensilvani, SHBA, 22 shtator 2024.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e viziton fabrikën për prodhimin e predhave të artilërisë, Scranton, në Pensilvani, SHBA, 22 shtator 2024.

Në një fabrikë municioni në Pensilvani ku predhat 155 milimetërshe të artilerisë prodhohen me shumicë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, buzëqeshi dhe përshëndeti zyrtarët, para se ta nënshkruante njërën nga predhat, për të cilat vendi tij ka aq shumë nevojë.

“Pikërisht në vende si ky mund të ndiesh vërtet se bota demokratike mund të triumfojë. Faleminderit njerëzve si këta – në Ukrainë, në Amerikë dhe në të gjitha vendet partnere – që punojnë palodhshëm për të garantuar mbrojtjen e jetës”, shkroi Zelensky në X.

Vizita në fabrikën e municionit ishte ndalesa e parë e Zelenskyt gjatë vizitës njëjavore në Shtetet e Bashkuara, e cila po del të jetë njëra nga më vendimtaret për liderin ukrainas prej se filloi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

Në fjalimet e tij në Kombet e Bashkuara dhe në takime në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha se shpreson se do ta sigurojë mbështetjen e botës për kauzën e tij për të luftuar luftën më të madhe tokësore në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore – dhe gjithashtu të marrë leje që Ukraina t’i përdorë armët me rreze të gjatë veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Vëmendja globale ndaj luftës në Ukrainë po zbehet, pasi po lihet anash gjithnjë e më shumë nga konflikti i zgjeruar në Lindjen e Mesme. Në Shtetet e Bashkuara, amerikanët po tregohen gjithnjë e më të paduruar me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, ndjenja të nxitura nga Donald Trump, ish-president dhe tani kandidat republikan në zgjedhjet e 5 nëntorit. Dhe në terren, trupat ruse po vazhdojnë të avancojnë në Ukrainën lindore edhe pse po pësojnë humbje të mëdha, duke u afruar drejt qyteteve kyç si Pokrovsku dhe Vuhledari.

"Është e rëndësishme që Ukraina të paraqesë një vizion të qëndrueshëm dhe realist se si konkretisht mbështetja nga Perëndimi mund ta ndihmojë atë t'i arrijë qëllimet e saj strategjike", tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Mikhail Alexseev, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të San Diegos.

Vëmendja te Jugu Global

Zelensky do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 25 shtator, ku pritet t’ia kujtojë botës pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i cili nisi në shkurt të vitit 2022.

Zelensky do të duhet ta përqendrojë fjalimin e tij veçanërisht te Jugu Global, tha Andriy Veselovskiy, ish-përfaqësuesi i Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE).

Ky është një term që u referohet vendeve të Azisë, Afrikës, Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme, shumica e të cilave janë ambivalente në lidhje me luftën, të cilat shqetësohen më shumë për rreziqet e trazirave ekonomike ose rritjen e çmimeve të ushqimit. Shumë vende në atë grup e shohin luftën si një luftë të përfaqësuesve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Që të 40 vendet që abstenuan ose votuan kundër një rezolute të Kombeve të Bashkuara në mars të vitit 2022 që dënonte pushtimin e Rusisë, ishin nga Jugu Global.

"Ukraina duhet të shmangë ndarjen e Perëndimit dhe Jugut për çështjen e Ukrainës", tha Veselovskiy për REL-in.

Jugu Global ka ndikim te Rusia, thonë ekspertët, duke qenë se Kremlini i ka prishur marrëdhëniet me Perëndimin. Por, tani, disponimi është që Ukraina të bëjë përpjekje për t’u ulur për bisedime me Kremlinin, tha Richard Gowan, drejtor i Kombeve të Bashkuara për Grupin e Krizave Ndërkombëtare, një organizatë hulumtuese me bazë në Bruksel.

“Ka një ndjesi që tani vërtet është koha për Ukrainën të ulet dhe të negociojë me Rusinë. Mund të mos vlerësohet se sa e vështirë do të ishte për ukrainasit ta arrinin një marrëveshje të mirë me Moskën”, tha Gowan për REL-in.

Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, marrin pjesë në një takim gjatë samitit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nju Jork, 23 shtator.
Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, marrin pjesë në një takim gjatë samitit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nju Jork, 23 shtator.

Krahu Perëndimor

Vizita e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator do të jetë po aq e rëndësishme, nëse jo më e rëndësishme.

Me gjithë inkursionin e guximshëm të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë në gusht, forcat ruse po vazhdojnë të çajnë përpara në rajonin e Donjeckut në lindje të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar për muaj të tërë më shumë se vetëm armë. Uashingtoni është furnizuesi më i madh i vetëm i armëve dhe pajisjeve, përfshirë predha artilerie nga fabrika në Pensilvani.

Gjatë takimit të tij me presidentin amerikan, Joe Biden, Zelensky gjithashtu do të kërkojë leje për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për t’i goditur shënjestrat ushtarake thellë brenda Rusisë, si dhe depot dhe fushat ajrore ku janë të vendosur avionët luftarakë.

Rusia po i përdor këta avionë për të shkaktuar pasoja shkatërruese në Ukrainë, duke hedhur bomba të rënda dhe të telekomanduara që rrafshojnë tërësisht blloqe të tëra qytetesh ose shkatërrojnë pozicionet mbrojtëse ukrainase.

Bombardimet ruse e kanë dëmtuar rëndë edhe infrastrukturën energjetike të vendit.

Deri në 4.000 bomba të tilla po hidhen çdo muaj në lindje të Ukrainës, tha Zelensky në një intervistë për CNN javën e kaluar.

Për këtë arsye, komandantët ukrainas duan të përdorin armët perëndimore për të goditur baza ajrore në Rusi.

Zyrtarët e administratës se Bidenit nuk e kanë pranuar kërkesën e Ukrainës deri tani, mes druajtjes se për presidentin rus, Vladimir Putin, do të ishte kalim i ndonjë vije të kuqe. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, sugjeroi më herët këtë muaj se sulmet e tilla me armë me rreze të gjatë nuk mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës.

Alexseev tha se Kievi nuk mund të fitojë përnjëherë në një luftë shkatërruese, por mund t’i zmbrapsë trupat ruse duke prishur linjat e furnizimit.

Javën e kaluar, Ukraina goditi dy depo municionesh shumë larg vijës së frontit, me sa duket me dronë të prodhuar në vend. Në një depo në rajonin Tver ka mundësi të jenë shkatërruar municione të vlefshme për tre muaj, sipas vlerësimeve të agjencisë së inteligjencës së mbrojtjes të Estonisë.

Kritikët e politikës amerikane kanë theksuar se disa nga vijat e kuqe të Kremlinit janë shkelur tashmë në të kaluarën dhe nuk ka pasur pasoja.

Megjithatë, ekspertët thonë se Biden mund të jetë më i kujdesshëm këtë herë, pasi zgjedhjet presidenciale në SHBA janë vetëm gjashtë javë larg.

Kamala Harris – nënpresidentja amerikane – është në garë kokë me kokë me Trump në fushatën zgjedhore, sipas shumë sondazheve.

Disa republikanë, si shoku i garës së Trumpit, senatori JD Vance, thonë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i japin më shumë ndihmë Kievit, duke argumentuar se ushtria ukrainase ka pak shanse ta zmbrapsë Rusinë.

Republikanë të tjerë e kundërshtojnë ndihmën me arsyetimin se paratë mund të shpenzohen më mirë brenda vendit.

Plani i fitores

Zelensky pritet gjithashtu ta zbulojë "planin e fitores" – një udhëzues për t'i dhënë fund luftës, siç e sheh Ukraina.

Shumë pak hollësi të planit janë publikuar, megjithatë zyrtarët e administratës së Zelenskyt kanë sinjalizuar se mendojnë se plani është i zbatueshëm dhe i arritshëm, por me mbështetjen e Perëndimit.

"Veprimi vendimtar tani mund të përshpejtojë fundin e drejtë të agresionit rus kundër Ukrainës vitin e ardhshëm. Plani ynë i Fitores do të ndihmojë për të sjellë Rusinë drejt paqes në praktikë", tha Zelensky në një postim në Telegram pas takimit me një grup senatorësh republikanë dhe demokratë më 24 shtator.

Më shumë para, më shumë armë, më shumë ndihmë

Pavarësisht se kush do ta fitojë garën për president dhe merr kontrollin e Kongresit më 5 nëntor, mbështetja amerikane për Ukrainën vitin e ardhshëm me gjasë do të zvogëlohet krahasuar me pakon prej 61 miliardë dollarësh të përkrahjes së këtij viti, thonë analistët.

Harris dhe Trump përplasen për luftën në Ukrainë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:09 0:00

Por, se sa do të jetë ndihma për Ukrainën do të varet nga shumë faktorë, përfshirë nga ajo se cila parti i fiton zgjedhjet.

Demokratët me siguri do ta mbështesin një pako më të madhe sesa republikanët. Harrisi ka thënë qartazi se dëshiron që Ukraina të fitojë në këtë luftë.

Trumpi, ndërkohë, e ka shmangur pyetjen, duke thënë vetëm se dëshiron që lufta të përfundojë, duke mos dhënë hollësi se si do të ndodhte kjo.

Vizita e Zelenskyt në fabrikën e municionit të armëve Scranton në Pensilvani ishte pjesë e synimit për t’ua kujtuar ligjvënësve dhe votuesve amerikanë se mbështetja për Ukrainën sjell edhe vende të reja pune në SHBA, tha Alexseev.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG