Ndërlidhjet

Trumpi thotë se s'do të garojë për president përsëri, nëse humb në nëntor


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk beson se do të garojë për president në vitin 2028, nëse pëson disfatë në zgjedhjet presidenciale amerikane më 5 nëntor.

Trump, 78 vjeç, ka qenë kandidat i republikanëve në tri palë zgjedhje presidenciale radhazi dhe e ka ndryshuar partinë dukshëm në tetë vjetët e fundit.

Në një intervistë për Sinclair Media Group të dielën, Trump u pyet nëse parashikon se do të garojë edhe një herë në rast se humb kundër kandidates demokrate, Kamala Harris.

“Jo, mendoj se jo. Me kaq do të mbarojë. Nuk mendoj se do ta bëj”, u përgjigj Trump.

Por, ai shtoi se “shpresoj se ne do të jemi shumë të suksesshëm” në zgjedhjet e nëntorit.

Ligji amerikan ua ndalon presidentëve mbajtjen e më shumë se dy mandateve, prandaj Trumpi nuk do të garonte më 2028 as në rast fitoreje këtë vit.

Trumpi përballet me garë të fortë kundër demokrates, nënpresidentes amerikane Kamala Harris, pasi sondazhet po tregojnë se gara mes tyre është tejet e ngushtë në shtetet kryesore, të cilat me gjasë do të jenë vendimtare në përcaktimin e fituesit, edhe pse Harris ka filluar ta krijojë një epërsi në sondazhet gjithëkombëtare.

Trumpi e nisi fushatën e parë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë më 2020, në ditën e njëjtë që ishte inauguruar më 2017, ndërsa fushatën e dytë për t’u rizgjedhur e nisi para dy vjetëve, në nëntor 2022.

Trump rrallëherë e ka pranuar mundësinë e humbjes në zgjedhje. Ai ka vazhduar të pretendojë rrejshëm se humbi më 2020 kundër presidentit Joe Biden për shkak të vjedhjes së votave dhe përballet me akuza për vepër penale në lidhje me përpjekjet e tij për ta zhbërë rezultatin e atyre zgjedhjeve.

Ai i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar aktakuzën kundër tij si sulm politik.

Ndërkohë, Harris, 59-vjeçare, e emërua kandidate e demokratëve pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara muaj më parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG