Ndërlidhjet

SHBA dhe Serbia me marrëveshje për bashkëpunim në fushën e energjisë


Nënsekretari amerikan Jose Fernandez dhe ministri i jashtëm serb Marko Gjuriç, Uashington, 18 shtator 2024.
Nënsekretari amerikan Jose Fernandez dhe ministri i jashtëm serb Marko Gjuriç, Uashington, 18 shtator 2024.

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë në Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një njoftim se “kjo marrëveshje do t’i zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin e energjisë në Serbi, përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do ta forcojnë partneritetit strategjik SHBA-Serbi”.

Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën nga nënsekretari i Shteteve të Bashkuara për Rritje Ekonomike, Energji dhe Mjedisi, Jose Fernandez, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.

Fernandez tha se "aftësia jonë për të punuar në energjinë e pastër, si dhe mundësia që kompanitë amerikane të investojnë në teknologjitë nga ajo fushë në Serbi, është diçka që ne e vlerësojmë shumë”.

Ai shtoi se SHBA-ja është e lumtur që bashkëpunimi me Serbinë në fushën e energjisë së gjelbër do të vazhdojë.

"Ndryshimi i klimës është sfida e kohës sonë. Por, është gjithashtu një mundësi për të investuar në energjinë e së ardhmes dhe hapi i parë u hodh sot," shtoi Fernandez.

Gjuriq tha se marrëveshja do ta lehtësojë kalimin në energji të gjelbër në Serbi dhe do të ofrojë qasje më të mirë në energji të pastër.

"Kjo marrëveshje do të rezultojë në furnizim më të besueshëm dhe afatgjatë. Nga kjo do të përfitojnë qytetarët dhe kompanitë energjetike serbe dhe amerikane," shtoi Gjuriq.

Shefi i diplomacisë serbe tha se nënshkrimi i marrëveshjes dërgon një mesazh të fortë për përkushtimin e Serbisë për përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme me SHBA-në.

“Vetë fjala ‘strategjik’ flet për faktin se tani jemi një hap më afër një partneriteti strategjik dhe marrëdhënieve strategjike, të mira, cilësore dhe afatgjata me SHBA-në”, përfundoi Gjuriq.

Gjuriq tha se në dy dekadat e ardhshme, Serbia do të rrisë konsumin e saj të energjisë elektrike katërfish dhe se ka nevojë për një partneritet me industritë, kompanitë dhe vendet që kanë rritur me sukses kapacitetin e tyre prodhues në dekadat e kaluara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG