Ndërlidhjet

Kurti i hedh poshtë kërkesat e Vuçiqit si "jopaqësore" dhe "fushatë agresive"


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka hedhur poshtë si "jopaqësore" dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja” kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Javën e kaluar Vuçiq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

I pyetur të martën në Prishtinë rreth kërkesave të presidentit serb, Kurti tha: “Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”.

Kjo është hera e parë që Kurti i komenton thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, të cilat u mirëprtën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive.

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

Kurti tha se kërkesat që ai i ka bërë më herët drejtuar Serbisë “janë paqësore dhe racionale” krahasuar me ato të liderit serb.

“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë... dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radoiçiqit, është nënshkrimi i Marrëveshjes [për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve] dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres [serbe Ana Bërnabiq], e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave - në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq - për sulmin e armatosur në Banjskë.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e mori përgjegjësinë për sulmin që la të vdekur një rreshter, dhe autoritetet kosovare e duan ekstradimin e tij në Kosovë.

Ndërkohë, derisa i dërguari evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka thënë ditë më parë se Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit, Vuçiqi, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar një gjë të tillë kur është pyetur rreth saj.

Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një muaj më vonë.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme për palët pavarësisht nënshkrimit.

Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG