Një burrë i dyshuar për tentim për ta vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, është ngarkuar me dy vepra penale për shkeljen e ligjit për armët nga një gjykatë federale të hënën, një ditë pasi ai u vërejt me pushkë në dorë i fshehur në shkurre në fushën e golfit të Trumpit në Floridë.
Ai pritet të përballet me akuza të tjera, por dy akuzat fillestare – posedimi i armës zjarrit si një i dënuar me burgim dhe posedimi i armës së zjarrit me numër të fshirë serik – do t’ua mundësojë autoriteteve ta mbajnë atë në paraburgim gjatë vazhdimit të hetimeve.
Trump, kandidati i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, shpëtoi pa u dëmtuar. Por, ky incident, i cili ndodhi vetëm nëntë javë pasi Trumpi i mbijetoi një atentati në Pensilvani, ka ngritur pyetje se si ka mundësi që një i dyshuar i armatosur ishte në gjendje të arrinte aq afër ish-presidentit.
Sipas autoriteteve, besohet se i dyshuari mund të ketë pritur i shtrirë në shkurre për gati 12 orë të dielën.
Shërbimi Sekret i SHBA-së hapi zjarr pasi një agjent i tij e pa tytën e një pushke duke dalë nga shkurret të dielën në fushën e golfit të Trumpit në Palm Beach, Floridë, vetëm disa qindra metra larg vendit ku ish-presidenti po luante golf.
I dyshuari iku nga vendi i ngjarjes duke përdorur një automjet të shërbimeve sportive. Oficerët gjetën në vendin e ngjarjes një pushkë të mbushur dhe me dylbi, një kamerë digjitale dhe një çantë plastike me ushqim.
Një i dyshuar, i identifikuar të hënën si Ryan Routh, 58 vjeç, u arrestua rreth 40 minuta më vonë derisa po voziste. I pyetur nga oficerët nëse e dinte pse e kishin ndalur, Routh ishte “përgjigjur se po”. Targat në veturën e tyre ishin raportuar në polici si të vjedhura nga një veturë tjetër.
Të dhënat tregojnë se një telefon i lidhur me Routhin ishte lokalizuar në fushën e golfit në orën 1:59 mëngjesin e së dielës.
Routh ka qenë dy herë i dënuar, në të dyja rastet në Karolinën e Veriut, sipas të dhënave. Më 2002, ai ishte dënuar për posedimin e një arme të shkatërrimit në masë dhe më 2010 ishte dënuar për posedimin e mallrave të vjedhura.