Ndërlidhjet

Vuçeviq zotohet se do të kërkojë garanci të dokumentuara për projektin e litiumit


Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë më 10 shtator se askush nuk do ta marrë si të garantuar fjalën e kompanisë Rio Tinto, dhe që shteti do të sigurojë garanci të dokumentuara para nisjes së punës për mihje të minierës më të madhe të litiumit në Evropë.

Komentet e Vuçeviqit vijnë pas një takimi të zhvilluar në fundjavë mes qytetarëve, përfaqësuesve të Rio Tintos dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili është një prej zyrtarëve që mbështet më së shumti projektin Jadar.

Memorandumi i mirëkuptimit mes Rio Tintos dhe Qeverisë së Serbisë për këtë projekt është nënshkruar më 2017.

Vuçeviq, i cili është bërë kryeministër në fillim të majit, ka thënë se shteti serb nuk do të lejojë mihje të minierës së litiumit pa garanci për mbrojtje të ujit dhe shëndetit publik.

“Në tri ose katër orët e para, njerëzit kanë bërë pyetje”, ka thënë Vuçeviq për takimin e fundjavës.

“Për herë të parë kemi dëgjuar përgjigjet e Rio Tintos. Jemi përballur me argumente. Situata është shumë më e qartë dhe më e mirë kur ka komunikim”.

Vuçeviq ka thënë se publiku serb ende nuk i ka përgjigjet për shumë pyetje.

“Nëse ne ruajmë natyrën dhe njerëzit, vetëm atëherë mund të mendojmë për përfitimet ekonomike”, ka thënë ai.

Leja për projektin Jadar është pezulluar nga Qeveria paraprake, më 2022, për shkak të presionit të madh publik dhe shqetësimeve për ambientin.

Mirëpo, ai vendim është përmbysur prej Gjykatës Kushtetuese në korrik të këtij viti, dhe Qeveria i ka nisur sërish përpjekjet për jetësim të projektit.

Qytetarët e Serbisë kanë protestuar në javët e fundit kundër projektit.

Rio Tinto, kompani që është kritikuar në disa vende të botës për mosrealizim të disa premtimeve në projektet që ka zhvilluar, ka thënë se në kuadër të projektit Jadar, do të mund të nxirren 60.000 tonë të litiumit në vit, dhe kështu mund të përmbushet një e pesta e kërkesës së Evropës për prodhim të makinave elektrike.

Kompania ka thënë javë më parë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se “ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë kanë konfirmuar se projekti Jadar mund të realizohet në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet më të larta për mbrojtje të ambientit”.

Litiumi përdoret në bateritë e makinave elektrike, të telefonave të mençur dhe laptopë.

Bashkimi Evropian është i varur nga Kina kur është fjala për litium.

Zyrtarë të Ministrisë së Energjisë në Serbi kanë thënë javën e kaluar se është humbur shumë kohë për të nisur punën në projekt, dhe që do të mund të duhen edhe dy vjet tjera që Rio Tinto t'i sigurojë të gjitha lejet e nevojshme për mihje të minierës.

Sipas Ministrisë, studimet për ndikimin e këtij projekti në ambient janë thelbësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG