Ndërlidhjet

Policia thotë se do t'i nxjerrë të gjitha materialet nga institucionet e mbyllura paralele


Autoritetet e Kosovës duke vendosur flamurin shtetëror para objektit ku deri më 30 gusht ka funksionuar Komuna paralele e Mitrovicës – sipas sistemit serb.
Autoritetet e Kosovës duke vendosur flamurin shtetëror para objektit ku deri më 30 gusht ka funksionuar Komuna paralele e Mitrovicës – sipas sistemit serb.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e rendit do të nxjerrin gjatë ditës të gjitha materialet nga objektet e institucioneve paralele serbe në veri, të mbyllura më 30 gusht.

Punonjësit do të mund t’i marrin gjërat private, nëse ato nuk janë prova të nevojshme për policinë, ka thënë Elshani.

Pas këtij aksioni, këto ndërtesa do t’u kthehen pronarëve.

Me ligjet e Kosovës, pronare janë komunat: në Mitrovicë të Veriut, Komuna e Mitrovicës së Veriut, në Zveçan – Komuna e Zveçanit, e kështu me radhë.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur më 30 gusht pesë institucione paralele në veri, të cilat kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL), se po të mërkurën do të intervistohen pesë persona të lidhur me këto institucioneve paralele.

Policia nuk ka bërë të ditur se për kë saktësisht bëhet fjalë, mirëpo REL ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - të cilët kanë qenë në krye të organeve paralele serbe.

Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh negociator kryesor në dialog, ka thënë përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter - se “Kurti vazhdon të bëjë terror”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

Perëndimi e ka kritikuar Kosovën për ato që i ka konsideruar si veprime të njëanshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se, veprimet për shtrirje të sovranitetit janë legjitime, por që suksesi varet nga bashkëpunimi me aleatët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG