Ndërlidhjet

Izraeli tërheq trupat e gjashtë pengjeve në Gazë


Fotografitë e pengjeve që Izraeli thotë se u vranë nga Hamasi.
Fotografitë e pengjeve që Izraeli thotë se u vranë nga Hamasi.

Izraeli tha se ka tërhequr trupat e pajetë të gjashtë pengjeve në Gazë, përfshirë një djali të ri izraelito-amerikan, i cili ishte bërë një prej pengjeve më të njohur të marrë nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi prindërit e tij u takuan me liderët botërorë dhe bënë thirrje për lirimin e tij.

Ushtria tha të gjashtë personat u vranë pak para se të shpëtoheshin nga forcat izraelite. Tërheqja e trupave të tyre nxiti thirrje për protesta masive kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin shumë familjarë të pengjeve dhe shumica e publikut të gjerë izraelit e fajësojnë për dështim të lirimit të tyre përmes një marrëveshjeje me Hamasin, që do t’i jepte fund luftës 10-mujore. Negociatat për një marrëveshje të tillë janë zvarritur për muaj të tërë.

Radikalët e Hamasit morën peng Hersh Goldberg-Polin, 23 vjeç, dhe katër pengje të tjerë në një festival të muzikës në jug të Izraelit, gjatë sulmit të 7 tetorit, sulm që nxiti luftën në Gazë. Hersh Goldberg-Polin nga Kalifornia kishte humbur krahun e majtë gjatë një sulmi me granatë. Kur në prill Hamasi publikoi një video të tij, aty u pa që ai e kishte humbur krahun e majtë, gjë që nxiti protesta në Izrael, përmes së cilave iu kërkua Qeverisë të bëjë më shumë për lirimin e tij dhe pengjeve të tjera.

Ushtria identifikoi edhe pengjet e tjera: Ori Danino 25 vjeç, Eden Yerushalmi, 24 vjeç, Almog Sarusi 27 dhe Alexander Lobanov 33 vjeç, të cilët u morën peng në festivalin e muzikës. Po ashtu, është tërhequr edhe trupi i Carmel Gat 40 vjeç, që u rrëmbye nga komuniteti Beri.

Ushtria tha se trupat u gjetën në një tunel në qytetin jugor të Gazës, Rafah, rreth 1 kilometër larg nga ku u shpëtua i gjallë javën e kaluar pengu tjetër, , Qaid Farhan Alkadi 52 vjeç.

“Sipas informacioneve të para, ata u vranë mizorisht nga terroristët e Hamasit pak para se ne të arrinim te ta”, tha për gazetarët zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Hamasi ende nuk ka komentuar për këtë çështje.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi mori afër 250 pengje. Para njoftimit të gjetjes së trupave, Izraeli kishte thënë se besonte se 108 pengje ende po mbahen në Gazë dhe pothuajse një e treta e tyre janë të vdekur.

Tetë pengje janë shpëtuar nga forcat izraelite. Më shumë se 100 janë liruar gjatë armëpushimit njëjavor në nëntor, në këmbim të lirimit të palestinezëve që ishin të burgosur nga Izraeli.

Në dy operacionet e mëhershme të Izraelit për lirimin e pengjeve lanë të vrarë dhjetëra palestinezë. Hamasi ka thënë se disa pengje janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite dhe gjatë operacioneve të pasuksesshme për shpëtimin e tyre. Trupat izraelite në dhjetor vranë gabimisht tre izraelitë që kishin arritur t’i iknin robërimit.

Radikalët e Hamasit vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, kur sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor 2023.

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë. Shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, teksa territori i rrethuar po përballet me një katastrofë humanitare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG