Ndërlidhjet

Një lider i Hamasit vritet në ditën e tretë të operacionit izraelit në Bregun Perëndimor


Një burrë e shikon një veturë duke u djegur në juglindje te Xheninit, në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më 30 gusht 2024, pas një sulmi izraelit.
Një burrë e shikon një veturë duke u djegur në juglindje te Xheninit, në Bregun e uzurpuar Perëndimor, më 30 gusht 2024, pas një sulmi izraelit.

Forcat izraelite e kanë vrarë të premten një komandant vendës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në ditën e tretë të një operacioni të madh në Bregun e uzurpuar Perëndimor, tha ushtria izraelite.

Ushtria izraelite theksoi se forcat e policisë kufitare e vranë Wassem Hazem, për të cilin tha se ishte lider i Hamasit në Xhenin dhe se ai ishte i përfshirë në sulme me të shtëna dhe me bomba në territorin palestinez.

Dy pjesëtarë të tjerë të Hamasit, të cilët u përpoqën të iknin nga vetura me të cilin po udhëtonin që të re, u vranë nga një dron, tha ajo.

Në veturën e tyre u gjetën eksplozivë dhe sasi të mëdha parash, sipas saj.

Hamasi konfirmoi se të tre u vranë, dhe tha se ata ishin pjesëtarë të krahut të tij të armatosur, Brigada Al-Wassam.

Forcat izraelite e nisën të mërkurën një operacion të gjerë, i cili përfshin qindra trupa dhe policë, në Xhenin dhe Tulkarm, në Bregun e uzurpuar Perëndimor.

Forcat izraelite, të mbështetur nga helikopterë dhe dronë, u futën më thellë në Xhenin dhe Tulkarm të premten, ndërsa buldozerët e blinduar lëvruan rrugët për t’i shkatërruar bombat e vendosura skajeve të rrugëve nga grupet militante.

Përshkallëzimi i armiqësive në Bregun Perëndimor po ndodh në një kohë kur luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit po vazhdojnë në Rripin e Gazës prej se filloi lufta gati 11 muaj më parë. Gjithashtu, në këtë kohë janë rritur edhe përleshjet në zonën kufitare Izrael-Liban mes Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe Izraelit.

Në dy ditët e para të operacionit izraelit në Bregun Perëndimor janë vrarë së paku 17 palestinezë, përfshirë një komandant vendës i Xhihadit Islamik, grupit të mbështetur nga Irani në Tulkarm.

Qeveria e Britanisë së Madhe tha të premten se është “thellësisht e shqetësuar” nga operacioni i Izraelit në Bregun Perëndimor dhe bëri thirrje për shtensionim urgjent.

Së paku 652 palestinezë në Bregun Perëndimor janë vrarë nga zjarri i forcave izraelite prej se nisi lufta në Gazë para 11 muajve, sipas Ministrisë palestineze. Shumica kanë vdekur gjatë operacioneve të tilla, të cilat shpesh kanë nxitur luftime mes forcave izraelite dhe militantëve.

Izraeli thotë se operacionet janë të nevojshme për t’i shkatërruar Hamasin dhe grupet e tjera militante dhe për t’i parandaluar sulmet kundër izraelitëve, të cilat gjithashtu janë rritur prej se nisi lufta.

Izraeli i uzurpoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin lindor gjatë luftës së vitit 1967. Palestinezët i duan këto tri vende për ta themeluar shtetin e tyre.

Izraeli ka ndërtuar shumë vendbanime në Bregun Perëndimor, ku jetojnë mbi 500.000 kolonë izraelitë. Ata gëzojnë shtetësi izraelite, ndërsa mbi 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin e ushtrisë izraelite, sepse Autoriteti Palestinez ka vetëm kontroll të kufizuar mbi qendrat popullore.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG