Ndërlidhjet

Osmani bisedon me zyrtarin e lartë të NATO-s për çështjen e urës në Mitrovicë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pret në takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, Prishtinë, 29 gusht.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pret në takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, Prishtinë, 29 gusht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të enjten në një takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, me të cilin bisedoi edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe, njoftoi Presidenca.

Osmani e përsëriti gjatë takimit se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, sipas njoftimit.

“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.

Osmani e ka cilësuar hapjen e urës si një veprim “në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë.

KFOR-i, njëlloj sikur BE-ja, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Javë më parë, Osmani e priti në takim edhe ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve.

Ndërkohë, të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG