Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet me Arabinë Saudite, Katarin, Turqinë dhe Zvicër për samitin e dytë për paqe në Ukrainë, janë duke u vazhduar.
Në një bisedë me gazetarë indianë, të cilën e përndau në rrjetet sociale të dielën, Zelensky tha gjithashtu se i kishte thënë kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, se ai do ta mbështeste Indinë për organizimin e samitit të dytë për paqe në Ukrainë.
Kievi është në kërkim të një vendi nga Jugu Global për organizimin e samitit të radhës.
“Megjithatë, dua të jem i sinqertë, dhe kjo nuk vlen vetëm për Indinë, por për çdo shtet që dëshiron të jetë nikoqir i samitit. Ne nuk do të jemi në gjendje ta mbajmë samitin në një vend i cili ende nuk i është bashkuar deklaratës së përbashkët të samitit për paqe”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se i diskutoi të gjitha pikat e deklaratës dhe samitin e kaluar për paqe gjatë vizitës së Modit në Kiev të premten.
Në samitin e parë për paqe në Ukrainë, që u mbajt më 15-16 qershor në Zvicër, zyrtarë të lartë të më shumë se 90 shteteve bënë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.
Por, pjesëmarrësit si, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan deklaratën e samitit.
Pjesëmarrësit e duartrokitën nisjen e procesit për paqe, me shpresën për mbajtjen e një samiti të dytë në të ardhmen e afërt.
Mirëpo, fakti që Moska nuk u ftua në atë samit, dhe ajo vetë e ka konsideruar ngjarjen si humbje kohe, ka rritur dyshimet nëse do të ketë ndonjë proces tjetër të paqes në të ardhmen.
Ndonëse në deklaratën përfundimtare të samitit nuk është përmendur Rusia, në të është thënë se “arritja e paqes kërkon përfshirjen e të gjitha palëve në dialog”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.