Ndërlidhjet

Izraeli kryen sulme ajrore në Liban, Hezbollahu shkrep qindra raketa drejt Izraelit


Një dron i Hezbollahut shkatërrohet nga kundërajrorët izraelit në veri të Izraelit, 25 gusht 2024.
Një dron i Hezbollahut shkatërrohet nga kundërajrorët izraelit në veri të Izraelit, 25 gusht 2024.

Associated Press

Izraeli e kreu sulme ajrore parandaluese në jug të Libanit mëngjesin e së dielës, ndërsa Hezbollahut i shkrepi qindra raketa në drejtim të tokës izraelite për t’u hakmarrë për vrasjen e njërit prej komandantëve kryesor të tij muajin e kaluar.

Një shkëmbim kaq i madh i sulmeve mes tyre kërcënon nxitjen e një lufte të përgjithshme në Lindjen e Mesme, në të cilën mund të zhyten edhe Shtetet e Bashkuara, Irani dhe grupet militante në këtë rajon.

Ky përshkallëzim rrezikon gjithashtu t’i dështojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës, ku Izraeli prej 10 muajsh është duke bërë luftë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i cili është aleat i Hezbollahut.

Shkëmbimi i zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut pushoi kah mesi i mëngjesit të dielën, pasi të dyja palët i ndalen sulmet. Megjithatë, gjendja vazhdon të mbetet e tensionuar.

A ka rrezik që Hezbollahu ta përhapë konfliktin në Lindjen e Mesme?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Nuk dihet tani për tani sa viktima dhe çfarë dëmesh mund të kenë shkaktuar këto sulme.

Ushtria e Izraelit tha se Hezbollahu planifikoi t’i shkrepë një breshëri raketash dhe predhash në drejtim të Izraelit. Disa orë më vonë, Hezbollahu njoftoi se e kreu një sulm ndaj pozicioneve ushtarake të Izraelit si përgjigje fillestare për vrasjen e Foud Shukur nga një sulm ajror izraelit në Bejrut muajin e kaluar. Shukur ishte ndër themeluesit e Hezbollahut.

Më vonë, Hezbollahu tha në një njoftim të ri se sulmi i tij i planifikuar kundër Izraelit për të dielën “është kompletuar dhe përmbushur”.

Sulmet ndodhen në një ditë kur Egjipti është nikoqir i rundit të ri të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Hezbollahu ka thënë se do t’i ndalë luftimet nëse arrihet armëpushim në Gazë. Irani i mbështet të dyja grupet, si dhe grupe të tjera militante në Siri, Iran dhe Jemen, të cilat mund t’i bashkohet një lufte të gjerë në rajon.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha duke folur në fillim të një takimi të kabinetit të tij se ushtria izraelite i ka rrëzuar “mijëra raketa të cilat ia kishin mësyrë veriut të Izraelit”.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur vendin tonë, t’i kthejmë banorët e veriut në shtëpitë e tyre të sigurt dhe të vazhdojmë ta ruajmë një ligj të thjeshtë: Kushdo që na dëmton – do ta dëmtojmë”, tha Netanyahu.

Në veri të Izraelit u raportua se u dëgjuan sirena, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar Ben-Gurion i Izraelit i mbyll për rreth një orë, për shkak të kërcënimit nga sulmet.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Nadav Shoshani, tha se Hezbollahu kishte për qëllim t’i kryente sulmet në Izraelin verior dhe qendror. Ai tha se vlerësimet e para tregojnë se “dëmet janë shumë të vogla” në Izrael, por se ushtria mbetet në gatishmëri shumë të lartë.

Ai tha se rreth 100 avionë luftarakë izraelitë morën pjesë në sulmin e së dielës.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi se dy person u plagosën nga sulmet izraelite në jug të Libanit. Një luftëtar i grupit Amal, i cili është i lidhur me Hezbollahun, u vra nga një sulm në një veturë, tha Amal.

Hezbollahu tha se i shkrepi 320 raketa të tipit Katyusha në drejtim të shumë zonave në Izrael dhe se i lëshoi një “numër të madh” dronësh.

Në SHBA, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, Sean Savett, tha se presidenti Joe Biden “është duke e vëzhguar nga afër situatën në Izrael dhe në Liban”.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur dhe do të vazhdojmë të punojmë për sigurinë rajonal”, tha Savett.

Pentagoni tha se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, bisedoi me homologun e tij, Yoav Gallant, për mbrojtjen e Izraelit kundër Hezbollahut.

“Austin e ritheksoi përkushtimin e palëkundur të SHBA-së për ta mbrojtur Izraelit kundër çfarëdo sulmi nga Irani dhe partnerët e tij rajonalë”, thuhet në njoftim.

Në javët e fundit, diplomatët nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë bërë vizita të shumta në Izrael dhe në Liban në përpjekje për qetësuar situatën, pasi kanë frikë se ajo mund të përshkallëzohet në luftë gjithrajonale.

Javën e kaluar, ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha se do të zhvendoste më shumë trupa drejt kufirit libanez, duke parashikuar luftë të mundshme me Hezbollahun.

Hezbollahu filloi ta sulmojë Izraelin pothuajse menjëherë pasi nisi lufta në Gazë, e cila u nxit nga një sulm i Hamasit në Izrael më 7 tetor. Prej atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme pothuajse cdo ditë, duke i detyruar dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosen nga të dyja anët e kufirit.

Deri të dielën, të dyja palët kanë bërë kujdes për ta shmangur luftën e përgjithshme.

Hezbollahu, i cili e luftoi Izraelin edhe në verën e vitit 2006, besohet se tani është shumë më i fuqishëm sec ishte gjatë atij konflikti që mbaroi pa fitues. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vlerësojnë se Hezbollahu i ka rreth 150.000 raketa që janë në gjendje të godasin kudo brenda Izraelit. Ky grup ka zhvilluar edhe dronë që janë në gjendje ta shmangin mbrojtjen ajrore të Izraelit.

Izraeli e ka njërin prej ushtrive më të mira në botë dhe sistemeve të fuqishme të mbrojtjes ajrore, si dhe mbështetet nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, i cili i ndihmoi t’i rrëzojë qindra raketa dhe dronë që shkrepur nga Irani në fillim të këtij viti.

Ndërkohë, ushtria amerikane i ka shtuar forcat e veta në Lindjen e Mesme në javët e fundit.

Hezbollahu është aleat i ngushtë i Iranit, i cili ka kërcënuar gjithashtu se do të hakmerret për vrasjen e Ismail Haniyeh, liderit të lartë të Hamasin, nga një shpërthim në Teheran muajin e kaluar. Hamasi dhe Irani e kanë fajësuar Izraelin për vrasjen, i cili as nuk e ka pranuar as mohuar këtë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG