Grupet e armatosura të Hamasit dhe Xhihadit Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për shpërthimin e një bombe në afërsi të një sinagoge në Tel Aviv, i cili u përshkrua si sulm terrorist nga policia izraelite dhe agjencia izraelite e inteligjencës, Shin Bet.
Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një burrë që po e bartte bombën u vra dhe një kalimtar rasti u plagos gjatë incidentit të dielën vonë, sipas policisë izraelite.
Zëdhënësi i Qeverisë së Izraelit, David Mencer, tha se burri po e bartte një çantë shpine të mbushur me eksplozivë, e cila shpërtheu “para se ai të mbërrinte në një vend ku kishte më shumë njerëz”.
Në një komunikatë të përbashkët për media, dy grupet militante palestineze thanë se “operacionet tona të martirizimit” brenda Izraelit do të kryen për aq gjatë sa “vazhdojnë masakrat dhe politikat vrasëse nga okupatori”, duke iu referuar luftës së Izraelit në Rripin e Gazës dhe vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, më 31 korrik në Teheran.
Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Shpërthimi në Tel Aviv të dielën ndodhi pak orë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Tel Aviv për të shtyrë përpara arritjen e një armëpushimi në Gazë, për t’i dhënë fund luftës tashmë 10-mujore mes Izraelit dhe Hamasit.
Thirrjet për armëpushim janë rritur kohëve të fundit, për shkak të frikës së përshkallëzimit të gjendjes në një luftë të gjerë rajonale.
Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit për vrasjen e Haniyehut.