Ndërlidhjet

Anulohen koncertet e Taylor Swiftit në Vjenë pas arrestimit të dy simpatizantëve të IS-it


Këngëtarja amerikane, Taylor Swift.
Këngëtarja amerikane, Taylor Swift.

Organizatorët kanë anuluar tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift, në Austri, pas arrestimit të dy simpatizantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në lidhje me planifikimin e sulmeve, thanë organizatorët.

Zyrtarët e sigurisë në Austrinë thanë për gazetarët se një nga të arrestuarit për planifikim të një sulmi ndaj koncerteve të Taylor Swift në vjen, është një 19-vjeçar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

I dyshuari i dytë është një 17-vjeçar me prejardhje turke dhe kroate.

Emrat e të dyshuarve për sulmet e planifikuara gjatë koncerteve, që ishin paraparë të mbaheshin më 8, 9 dhe 10 gusht në Vjenë, nuk janë publikuar.

Sipas zyrtarëve, dy personat e arrestuar dëshironin të kryenin një sulm jashtë stadiumit Ernst Happel, me qëllim që të vrisnin sa më shumë njerëz, me gjasë duke përdorur thika apo mjete artizanale plasëse.

Autoritetet austriake kanë gjetur materiale të Shtetit Islamik dhe Al-Kaidës në shtëpinë e të dyshuarit 17 vjeç.

Gjatë një konference për media në Vjenë, autoritetet thanë se i dyshuari kryesor, 19-vjeçari me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ka pranuar planet për sulmin.

Ata thanë se ai “qartësisht ishte radikalizuar në rrugën e Shtetit Islamik dhe mendon se është e drejtë të vrasësh jofetarët”.

I dyshuari i dytë ishte punësuar nga një kompani për ofrimin e shërbimeve gjatë koncertit. Hetuesit thanë se në shtëpinë e tyre gjetën në shtëpinë e tij materiale të shumta të lidhura me Shtetin Islamik dhe me al-Qaidën.

Më herët të mërkurën, autoritetet kishin konfirmuar arrestimin e një 19-vjeçari, simpatizant të një grupi të armatosur, pas dyshimeve për planifikim të një sulmi në rajonin e Vjenës, duke paralajmëruar se ai kishte në “fokus” tri koncertet që ishte paraparë të mbante Swift.

“Me konfirmimin nga zyrtarët qeveritarë për një sulm të planifikuar terrorist në Stadiumin Ernst Happel, ne nuk kishim zgjidhje tjetër përpos që të anulonim tri koncertet e planifikuara”, njoftoi përmes Instagramit Barracuda Music.

Organizatorët shtuan se do të rimbursohen të gjithë personat që kishin blerë bileta. Afër 65.000 persona pritej të merrnin pjesë në çdo koncert të këngëtares Swift që ishin planifikuar të mbaheshin të enjten, të premten dhe të shtunën.

Personi i arrestuar, që “javët e fundit” ishte zotuar për besnikëri ndaj IS-it, u arrestua në një vend rreth një orë nga Vjena, tha shefi kryesor i sigurisë në vend, Franz Ruf.

Ruf tha gjatë një konference për media se 19-vjeçari kishte në fokus koncertet e këngëtares amerikane në Vjenë.

Në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet austriake gjetën substanca kimike. Ndërkaq, një person tjetër që besohet se kishte kontaktuar me të dyshuarin është arrestuar në Vjenë.

Sipas hetimit fillestar, të dy të dyshuarit ishin radikalizuar në internet.

Këngëtarja 34-vjeçare, Taylor Swift po zhvillon turneun e saj “Eras”, që në Evropë nisi në maj, me koncerte në Paris.

Pas Francës, turneu vazhdoi në Suedi, Portugali, Spanjë, Mbretëri të Bashkuar, Irlandë, Holandë, Zvicër, Itali, Gjermani dhe Poloni. Ky turne, në secilën ndalesë, ka pasur ndikim të madh në ekonomitë lokale.

Më Austri, më shumë se 170.000 spektatorë pritej të merrnin pjesë në koncerte, duke gjeneruar të ardhura prej 100 milionë eurosh, sipas agjencisë së lajmeve, APA.

Vitin e kaluar, “Eras” u bë turneu i parë që shiti më shumë se 1 miliard bileta dhe pritet që ta dyfishojë këtë shifër kur të përmbyllet në Vankuver dhjetorin e këtij viti.

Austria ka përjetuar sulmin e saj të parë vdekjeprurës xhihadist në nëntor të vitit 2020, kur një simpatizues i IS-it sulmoi qytetarët në Vjenë, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur 23 të tjerë, para se policia ta qëllonte për vdekje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG