Ndërlidhjet

“Po i vrisni gratë”: Institucioneve të Kosovës u kërkohet t’i mbrojnë ato


"Po i vrisni gratë" - mesazh i shkruar në ndërtesën e stacionit policor në Prishtinë. 7 gusht 2024.
"Po i vrisni gratë" - mesazh i shkruar në ndërtesën e stacionit policor në Prishtinë. 7 gusht 2024.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka zhvilluar një aksion simbolik pranë stacionit policor në Prishtinë dhe më pas pranë Prokurorisë së Shtetit, në ndërtesat e të cilëve ka shkruar “Po i vrisni gratë”.

Organizatoret e këtij aksioni thanë se në brenda pak ditë, një grua në Graçanicë dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, ndërkaq një ditë më parë në Fushë Kosovë një burrë plagosi me armë zjarri gruan e tij.

Nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist i akuzuan për neglizhencë organet e drejtësisë, pasi i arrestuari për plagosjen në Fushë Kosovë disa ditë më parë ishte ndaluar, e më pas liruar, për dhunë në familje.

“Duke i bërë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vrasjen e grave, ne rikujtojmë që për vajzat dhe gratë në Kosovë çdo ditë është luftë, luftë për ta mbrojtur veten nga dhuna e gjinizuar e abuzimi seksual, luftë për t’iu ikur plumbave dhe sëpatave. E në këtë luftë, shteti vazhdon t’ua mbajë anën dhunuesve e vrasësve, duke i amnistuar e duke e mirëmbajtur patriarkalizmin”, tha një nga organizatorët e këtij aksioni simbolik.

Kjo organizatë tha se fajëson Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe gjykatat, pasi “po tregojnë që ky zinxhir është patriarkal, i dhunshëm dhe armik i grave”.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkoi që institucionet dhe shoqëria të veprojnë dhe të ndihmojnë gratë “në luftën për çlirim” dhe të mbështesin kauzën “feministe për çlirim nga çdo lloj dhune kurdo dhe kudo”.

Sa i përket të arrestuarit për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë, Prokuroria Themelore në Prishtinë sqaroi se ai ishte ndaluar më 2 gusht nën dyshimet se kishte kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Por, Prokuroria tha se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak dhe ndaj të dyshuarit, I.A, ishte caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar bashkëshortes së tij.

Për këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi për neglizhencë institucionet e drejtësisë.

Nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG