Ndërlidhjet

Bislimi: Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Kosovë


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të martën se autoritetet e Kosovës kanë mbrojtur sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë kur kanë mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë në veri të vendit, një ditë më parë.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se “strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal”, nuk kanë vend në Kosovë dhe që “kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”.

“Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ajo gjithashtu përbën aktivitet ilegal, shkakton çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës".

Sipas Bislimit, Kosova është e obliguar të praktikojë ekonominë e tregut të lirë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të arritur me BE-në.

Perëndimi e ka dënuar ashpër vendimin për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, duke thënë se vendime të tilla, të njëanshme dhe të pakoordinuara, dëmtojnë komunitetin serb në veri, dhe shkelin marrëveshjet e Brukselit.

Bislimi e ka adresuar edhe kritikën e BE-së, duke vlerësuar që blloku evropian ka më shumë gatishmëri në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, sesa të merret me çështjet qendrore, duke përmendur Marrëveshjen bazike dhe aneksin për të, dokumente për të cilat palët kanë arritur pajtueshmëri më 2023.

Blloku evropian ka thënë të martën se veprimet e fundit të Kosovës mund të ndikojnë negativisht edhe në aplikimin e këtij vendit për anëtarësim në BE, dhe në heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vëna më shumë se një vit më parë, pas përshkallëizmit të situatës në veri.

BE-ja pati vlerësuar atëbotë që Kosova nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për ulje tensionesh, në veri, pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë nëpër objektet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Banorët lokalë patën protestuar hyrjen e tyre në komuna dhe për pasojë pati shpërthyer dhuna.

Më 6 gusht, Posta e Serbisë ka thënë se i janë ndaluar dërgesat postare në veri të Kosovës.

Sipas saj, Policia e Kosovës i ka ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, dërgesat postare që po transportoheshin përmes një furgoni të linjës së rregullt mes Rashkës në Serbi dhe Graçanicës në Kosovë.

Ajo ka bërë thirrje për zgjidhjen e kësaj situate, uljen e menjëhershëm të tensioneve dhe që të mundësohet funksionimi pa pengesa i transportit postar në veri të Kosovës.

Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi që prek dinarin, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.

Qytetarët serbë, të dëshpëruar nga mbyllja e Postës në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:16 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG