Ndërlidhjet

Policia konfirmon mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri


Kosova mbyll nëntë objekte të Postës së Serbisë, Beogradi e cilëson nxitje për konflikt
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Kosova mbyll nëntë objekte të Postës së Serbisë, Beogradi e cilëson nxitje për konflikt

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën për Radion Evropa e Lirë se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur edhe se dy persona janë ndaluar në Leshak edhe janë dërguar në stacionin policor në Leposaviq, dhe atyre u janë shqiptuar gjoba për mospërfillje të urdhrit të policëve.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur thellësisht të zhgënjyera me vendimin e autoriteteve të Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian e ka cilësuar mbylljen e degëve si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Mbyllja e objekteve është dënuar prej Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.

Momenti i mbylljes së objektit të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.
Momenti i mbylljes së objektit të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

Një punonjës i Postës në Zveçan i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se zyrtarët policorë kanë kontrolluar dokumente.

Zyrtarë policorë duke dalë me dokumente prej një zyre të Postës së Serbisë në veri.
Zyrtarë policorë duke dalë me dokumente prej një zyre të Postës së Serbisë në veri.

Një punëtor i Postës në Mitrovicë të Veriut i ka thënë REL-it se, nuk ka hasur në asnjë problem gjatë aksionit policor, që policia ka qenë korrekte dhe që askush nuk është ftuar për intervistim.

Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se institucioni që udhëheq ai, i ka njoftuar “institucionet relevante të Kosovës se Posta e Serbisë është duke operuar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës”.

Megjithatë, ai nuk ka treguar numrin e zyrave të Postës së Serbisë që operojnë në Kosovë.

“Ne mbulojmë vetëm pjesën e domenit të shërbimeve postare, ofrimin e shërbimeve të postës, të letrave dhe pakove”, ka thënë ai.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Reagimet pas mbylljes së objekteve të Postës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, ka pretenduar se Posta “ofron shërbime në përputhje me të gjitha rregulloret në fuqi”, dhe se aksioni policor në veri të Kosovës, ka vazhduar “terrorin sistematik” në komunat me shumicë serbe.

Angjellkoviq është zotuar që do të merren të gjithë hapat e nevojshëm që Posta të vazhdojë t’iu shërbejë qytetarëve në Kosovë.

Ai ka thënë se zyrtarët policorë e kanë ndaluar drejtorin e Postës së Serbisë për Kosovën, Ivan Millojeviq dhe bashkëpunëtorët e tij.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka konsideruar aksionin si “vazhdim të planit për spastrim etnik të veriut nga çdo gjë që ka prapashtesën serbe”.

“Heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”, është thënë në deklaratën e kësaj partie.

“Kurti thjesht po vlon nga zemërimi që pas të gjitha veprimeve antiserbe dhe shtypjes së popullit serb, serbët ende qëndrojnë sfidues në veri”, është thënë mes tjerash në deklaratë, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Zveçan.
Policia e Kosovës gjatë aksionit në Zveçan.

Mbylljen e objekteve të Postës e ka dënuar edhe Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit e Serbisë.

Sipas saj ky është vetëm një prej shembujve “të veprimtarisë kundërligjore" të autoriteteve të Kosovës, me qëllim të, siç ka thënë ministria, “përndjekjen e përhershme të popullatës së mbetur serbe dhe asaj joshqiptare" në Kosovë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si "kundërligjor" dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se kështu "provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur".

"Është e qartë se ai dëshiron të shkaktojë konflikte në terren me çdo kusht, dhe kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.

Sipas tij, aksioni policor është kryer "jashtë të gjitha marrëveshjeve" të arritura midis Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.

"Ekziston një shkelje brutale e marrëveshjeve dhe ky aksion i Prishtinës është kryer në kundërshtim me marrëveshjen e telekomunikacionit të vitit 2015, e cila thotë qartë se të gjitha çështjet e shërbimeve postare do të zgjidhen ekskluzivisht në kuadër të dialogut”, ka thënë mes tjerash ai.

Edhe pse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve, të dyja palët patën rënë dakord që për to të diskutohej në një fazë të mëvonshme.

Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG