Ndërlidhjet

Perëndimi nuk e mbështet hapjen e urës në Mitrovicë, Kurti insiston


Hapja e urës së Ibrit: Qeveria pa mbështetje të QUINT-it e NATO-s
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

VIDEO: Ambasadorët e QUINT-it në Kosovë kanë thënë se nuk e përkrahin hapjen e urës së Ibrit që ndan Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe dhe atë të Jugut me shumicë shqiptare.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Ai i bëri këto komente pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë", tha Hovenier për gazetarë pas takimit.

Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, Kurti tha se "ura duhet të hapet".

"Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës të lëshuar pas takimit.

Nga kabineti i tij u tha se Kurti, të premten, para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së paraqiti planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

"Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës".

Sipas Qeverisë, konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë.

"Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se "rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim".

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Nga sektori civil në Kosovë thonë se faktor kyç në hapjen e urës është, në fakt, KFOR-i, sepse ai duhet t’i lëvizë ushtarët e tij, gjegjësisht ta japë pëlqimin.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se "një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë".

"Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]", tha Osmani.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim. Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.

Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

Kronologjia e zhvillimeve rreth urës

• Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

• Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.

• Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.

• Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.

• Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.

• Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.

• Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.

• Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.

Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.

Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë - janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet.

Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit - u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.

Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG