Ndërlidhjet

Si do të ndikojë vrasja e liderit të Hamasit në bisedimet për armëpushim në Gazë?


Iranianët marrin pjesë në funeralin e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, Teheran, Iran, 1 gusht 2024.
Iranianët marrin pjesë në funeralin e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, Teheran, Iran, 1 gusht 2024.

Bisedimet për t’i dhënë fund luftës shkatërruese të Izraelit në Rripin e Gazës po shkonin drejt dështimit edhe para se të vritej Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por, vrasja e Haniyehut nga një sulm i dyshuar izraelit në Iran, më 31 korrik, e bën edhe më pak të mundur arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim e madje edhe vazhdimin e bisedimeve.

Haniyeh, 62 vjeç, luajti rol kyç në bisedimet e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme në enklavën palestineze dhe për lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë. Ai cilësoj edhe si kryesisht i moderuar brenda organizatës.

“Si mund të jetë i suksesshëm ndërmjetësimi kur njëra palë e vret negociatorin e palës tjetër?” pyeti kryeministri i Katarit, sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, më 31 korrik. Vendi i Gjirit Arab, së bashku me Egjiptin, i kanë ndërmjetësuar bisedimet disamujore.

Ministria e Jashtme e Egjiptit u shpreh ngjashëm, duke theksuar se vrasja i ka minuar bisedimet për paqe.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se vrasja e Haniyehut në Teheran është “pikë kthese” që do ta “çojë luftën në nivele të reja”.

Me gjithë kërcënimet, Hamasi mund të mos ketë kapacitet ushtarak për t’u hakmarrë. Ai është ende duke e marrë veten nga lufta brutale 10-mujore në Gazë, si pasojë e të cilës janë vrarë gati 40.000 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavën palestineze.

Ka pak gjasa që Hamasi të jetë i etur për bisedime të mëtutjeshme tani.

Haniyeh ishte figurë me përvojë të madhe i njohur ndërkombëtarisht, i cili e kishte zakon t’i ndreqte marrëdhëniet me aleatë të rëndësishëm nëpër Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Në disa prej fotografive të fundit, ai shihet duke u përqafuar me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Haniyeh jetonte në Katar dhe kjo ia mundësonte të udhëtonte dhe të ishte i pranishëm në takime të rëndësishme.

Vdekja e tij lë boshllëk të madh, dhe është e paqartë se kush do ta pasojë atë.

Yehya Al-Sinwar është shef i krahut të armatosur të Hamasit dhe nga shumëkush shihet si organizatori i sulmit të grupit palestinez më 7 tetor, ku u vranë 1.200 izraelitë. Qindra të tjerë u morën peng.

Besohet se ai është duke u fshehur në Gazë.

Vdekja e Haniyehut rrit rrezikun e luftës rajonale, paralajmërojnë analistët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Një figurë tjetër e lartë, Zaher Jabarin, e udhëheq Hamasin në Bregun Perëndimor, të okupuar nga Izraeli. Edhe ai është fshehur në Gazë.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë lidershipin e Hamasit, dhe këta dy burra shihen si shënjestra parësore.

Një lider i ri mund të vijnë nga zyra politike e Hamasit në Katar, por gjasat janë që kjo të marrë kohë dhe nuk është e qartë se çfarë qëndrimi do të mbante ai.

Haniyeh ishte cilësuar nga disa si pragmatist, krahasuar me elementet e linjës së ashpër të Hamasit me bazë në Gazë. Megjithatë, edhe ai ishte shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe e kishte mbështetur sulmin e 7 tetorit në Izrael.

Edhe nëse Hamasi vendos t’i vazhdojë bisedimet, është e paqartë e kush do ta ketë autoritetin dhe kapacitetin për ta përfaqësuar grupin në bisedimet e rëndësishme.

Televizioni shtetëror iranian tha se vrasja e Haniyehut do t’i shtyjë bisedimet për “disa muaj”.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u takua me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, në Tehran, më 30 korrik 2024.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u takua me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, në Tehran, më 30 korrik 2024.

Shumë vëzhgues kanë lënë të kuptohet gjithashtu se vrasja e Haniyehut e rrit rrezikun për një konflikt rajonal. Khamenei e fajësoi menjëherë Izraelin dhe u zotua se Irani do të hakmerret për vrasjen e Haniyehut.

Një përshkallëzim i madh ka gjasa t’i shtyjë edhe më shumë bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit.

Por, shumëçka varet nga veprimet e Iranit dhe rrjetit të grupeve të tij militante në rajon. Derisa po e shqyrtojnë përgjigjen, Teherani me aleatë ka gjasa të jetë të kujdesshëm për ta shpëtuar fytyrën e vet dhe për të mos e nxitur Izraelin të hakmerret.

Nëse Irani e shmang një përshkallëzim serioz, atëherë do të largohej një pengesë për rifillimin e bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit në të ardhmen.

Por, kjo vlerësohet si një “nëse” e madhe.

Irani i ka fajësuar edhe Shtetet e Bashkuara për vrasjen e Haniyehut, për shkak të mbështetjes ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të Uashingtonit për Izraelin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka mohuar se Uashingtoni ka qenë i përfshirë apo në dijeni të atij sulmi.

Por, ai ishte i kujdesshëm kur komentoi nëse vrasja Haniyehut mund të ketë ndikim në bisedimet për armëpushim në Gazë, duke thënë më 31 korrik se “e rëndësishme për të gjithë është që të arrihet armëpushim”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG