Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2014.
Me të u parapa i ashtuquajturi “rivitalizim i urës”, me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave dhe funksionalizimin e urës.
Barrikadat e para në këtë urë u ngritën në vitin 2011 nga serbët vendas, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.
Në vitin 2014, ato barrikada u zëvendësuan me gardhe prej betoni, të cilat autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut - të udhëhequra nga Lista Serbe - i quajtën “Parku i Paqes”. Ky “park” u hoq në vitin 2016 - kohë kur ura mendohej të hapej për qarkullim.
Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllim i të cilit ishte tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës ishte menduar të bëhej në janar të vitit 2017.
Megjithatë, punimet për rivitalizimin e urës përfunduan në qershor të vitit 2018.
Në atë projekt u investuan 1.5 milion euro.
Në fund, ura nuk u hap për mjete motorike, por vetëm për këmbësorë.
Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.