Ndërlidhjet

Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës


Selia e BE-së në Bruksel
Selia e BE-së në Bruksel

Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.

Me të përfundojnë të gjitha proceset legjislative.

Pasi të hyjë në fuqi - gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së - vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Procedurat për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe nisën në vazhdën e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti.

Me heqjen e vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës, qytetarët që posedonin vetëm dokumente të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë - e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd - mbetën të vetmit në rajon që u duheshin viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta në nëntor të vitit të kaluar.

Parlamenti Evropian votoi për këtë çështje në prill të këtij viti.

Këto vendime nxitën reagime nga Qeveria e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha në nëntor të vitit 2023 se “njohja e këtyre dokumenteve e minon integrimin e komunitetit serb” dhe “i dëmton përpjekjet tona të kahershme [për integrimin e serbëve]”.

Kosova nuk i njeh pasaportat në fjalë dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e përshëndeti vendimin e fundit të Këshillit të BE-së.

“Një fitore e vogël, por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në 'Kosovë dhe Metohi'”, shkroi Gjuriq në platoformën X.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG