Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe i ka ofruar mbështetje nënpresidentes, Kamala Harris për t'i hyrë garës.
Përmes një deklarate të lëshuar në rrjetet sociale, Biden ka thënë se beson që tërheqja nga gara është në interesin më të mirë të Partisë Demokratike dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht.
Ky vendim vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Bidenit nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.
“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si president”, ka thënë Biden, duke paralajmëruar që do të flasë më shumë gjatë javës lidhur me këtë vendim.
Biden, 81-vjeçar është infektuar më herët gjatë javës me koronavirus dhe është në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.
“E besoj sot atë që e kam besuar gjithmonë: Nuk ka asgjë që nuk mund të bëjë Amerika kur jemi të bashkuar. Duhet të rikujtojmë që jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Biden.
Ai ka thënë se i ofron mbështetje të plotë nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, për t’u bërë e nominuara e demokratëve për presidente.
“Vendimi im i parë si i nominuar i partisë më 2022 ka qenë kur zgjodha Kamala Harrisin për pozitën e nënpresidentes. Ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë”, ka thënë ai.
“Demokratë, është koha të bashkohemi dhe të mundim Trumpin. Le ta bëjmë këtë”, ka thënë Biden.
Biden u ka rezistuar me javë thirrjeve për t’u tërhequr nga gara, duke thënë se është personi më i mirë për të mposhtur Trumpin, 78-vjeçar.
Biden e ka mposhtur Trumpin më 2020, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan.
Konventa e Demokratëve, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati për president, do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois.
Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për presidente.
Si nënpresidente, ajo ka mbikëqyrur çështje kyçe në administratë, përfshirë imigrimin, të drejtat e votës dhe të drejtat e riprodhimit.
Disa prej emrave tjerë në mesin e demokratëve, që mund të synojnë garën janë guvernatorët si: Gavin Newsom i Kalifornisë, Gretchen Whitmer e Miçiganit dhe J.B. Pritzker i Illinoisit.
Harris është në përparësi kundrejt kandidatëve tjerë, pasi veçse ka marrë pjesë në fushatë për javë të tëra.
Ajo, gjithashtu, ka qasje në dhjetëra miliona dollarë të mbledhur për fushatë.
Harris ka shkallë pëlqimi të ngjashme me atë të Bidenit.
Megjithatë, ekspertët kanë thënë se ajo nuk njihet ende mirë nga shumë amerikanë dhe ka kohë të përmirësojë imazhin e vet.
Në një deklaratë të bërë në platformën e vet sociale, Social Truth, Trump ka thënë se Harris “nuk është e denjë për të garuar për presidente”.
Çfarë ndodh tash?
Në muajt e fundit, Biden ka siguruar mbështetjen e rreth 4.000 delegatëve demokratë, pasi i ka fituar zgjedhjet brenda partisë.
Ata delegatë do të duhej të votonin për Bidenin si kandidat zyrtar presidencial i Partisë Demokratike, transmeton Reuters.
Por tani, pas tërheqjes së Bidenit, delegatët do të jenë të lirë të vendosin se për kë do të votojnë, dhe kështu do të hapet rrugë për një garë të ashpër për kandidatët demokratë për të fituar nominimin.
Kjo, pasi Kamala Harris, ndonëse është nënpresidente, ajo nuk e fiton me automatizëm nominimin.
Kushtetuta amerikane vetëm parasheh që nënpresidentja mund të bëhet presidente, në rast se presidenti vdes, apo nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën.
Këtë vit pritet të jenë mbi 4.600 delegatë në mesin e demokratëve.
Një kandidat, për të fituar nominimin, duhet të fitojë shumicën e votave, pra më shumë vota sesa të gjithë kandidatët tjerë së bashku.
Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk arrin një shumicë të tillë, atëherë do të duhen të mbahen disa runde votimesh për të arritur këtë llojë shumice.
Një konventë e tillë e hapur është mbajtur në vitin 1952, pasi demokratët nuk kanë arritur të zgjedhin një kandidat me votimin e parë.
Sa u përket fondeve të fushatës, fushata Biden-Harris ka mbledhur rreth 91 milionë dollarë kontribute deri në fund të majit, dhe ekzistojnë ide të ndryshme se çfarë duhet të bëhet me to.
Disa besojnë që fondet duhet të shkojnë për Harrisin.