Ndërlidhjet

Çfarë i nxori jashtë funksioni sistemet teknologjike në botë?


Ekrani blu i një arke në një dyqan ushqimesh të prekur nga ndërprerja kibernetike në Sidnej.
Ekrani blu i një arke në një dyqan ushqimesh të prekur nga ndërprerja kibernetike në Sidnej.

Reuters

Një dështim në operacionet e një gjiganti teknologjik ka prekur punën e dhjetëra agjencive të premten, duke anuluar fluturimet, duke penguar transmetimet televizive, si dhe punën nëpër spitale e banka.

Çfarë ndodhi?

CrowdStrike, kompani amerikane për siguri kibernetike, është në mesin e kompanive më të njohura në botë, e cila ka më shumë se 20.000 abonues në gjithë botën.

Sipas një alarmi të dërguar nga CrowdStrike për klientët e vet, softueri i saj i shumëpërdorur "Falcon Sensor", është duke shkaktuar problem në sistemin Microsoft Windows, në të cilin po shfaqet ekrani i kaltër, i njohur ndryshe si “Ekrani i kaltër i vdekjes”.

Kompania ka thënë se problemi është i izoluar dhe se po punon në zgjedhjen e tij.

Pse ndodhi?

“Dëmi në proceset biznesore në nivel global, është dramatik. Defekti është shkaktuar për shkak të një përditësimi të softuerit të produktit EDR të Crowdstrike”, ka thënë Omer Grossman, zyrtar për informim në kompaninë për siguri të identitetit, CyberArk.

EDR, apo Endpoint Detection and Response, është produkt kibernetik që kompanitë e vendosin në kompjuterët e klientëve të tyre për t’i mbrojtur nga hakerët.

Ai softuer, i cili punon në prapavijë të pajisjeve të klientëve, përdoret prej kompanive për siguri kibernetike që të monitorojnë ndonjë lëvizje apo tentim për sulm në rrjetet e klientëve.

“Kemi kuptuar që për shkak të defektit – Ekranit të kaltër të vdekjes – produkti nuk mund të përditësohet prej larg, dhe ky problem duhet të rregullohet manualisht, një për një. Ky proces pritet të marrë ditë”, ka shtuar ai.

Kush është prekur?

Ndërprerjet teknologjike kanë prekur operacione në gjithë botën, aeroportet në Evropë, linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara, bankat dhe mediat në Australi.

Qeveria e Australisë, ajo e Zelandës së Re dhe disa shtete amerikane, janë duke u përballur me probleme.

Në Britani, televizioni Sky News, një prej mediumeve më të mëdha në vend, ka qenë jashtë transmetimit për disa orë.

Pse janë prekur kaq shumë biznese?

Sepse, softuerët e kompanive të mëdha janë të shtrirë në gjithë botën, nëpër miliona kompjuterë.

“Dëmi në biznese është dramatik”, ka thënë Grossman.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG