Ndërlidhjet

Serbia thotë se e ka vrarë Faton Hajrizin, të dyshuarin për vrasjen e policit serb


Policia serbe afër vendit ku u vra dorasi i një polici serb. 19 korrik 2024.
Policia serbe afër vendit ku u vra dorasi i një polici serb. 19 korrik 2024.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha të premten se është vrarë Faton Hajrizi, i dyshuari për vrasjen e një polici në Serbi në orët e para të së enjtes.

Në komunikatën e parë të lëshuar nga Daçiq më 19 korrik, nuk u përmend emri i tij. Por, më vonë ministri serb e përmendi atë me emër në një postim në rrjetet sociale. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, paraprakisht i kërkuan Serbisë që të konfirmojë identitetin e personit të vrarë.

Autoritetet serbe më herët gjatë së premtes kishin njoftuar se po kërkonin Faton Hajrizin, për vrasjen e policit, dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më vonë gjatë të premtes, Daçiq deklaroi se dorasi i dyshuar i policit është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.

Duke mos e përmendur identitetin e të vrarit, Daçiq i është referua atij si “terrorist shqiptar”.

Megjithatë, Daçiq, teksa vizitoi vendin ku u vra dorasi i dyshuar, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij, sepse “ai ka thënë se ia ka vjedhur pasaportën, që është gënjeshtër”. Sipas ministrit serb, Artan Hajrizi dyshohet për terrorizëm, duke shtuar se është bashkëpunëtor.

Daçiq shtoi se ai po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

"Na ndihmoi që publikuam foton. Një vendas na njoftoi që ka kërkuar ujë nga një banor lokal”, tha Daçiq.

“Kur ka ardhur policia, ai e ka qëlluar dy herë automjetin e policisë. Policia ka reaguar dhe një plumb e ka goditur. Më pas, ai ka nisur të ikë, por është kapur nga policë të tjerë. Gjithsej, ai ka shtënë nëntë herë. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, tha ai.

Autoritetet serbe, sipas Daçiqit po vazhdojnë hetimet e tyre për "të gjithë ata", që sipas tij kanë marrë pjesë në këtë organizim. Daçiq tha po ashtu se një shtetas i Sllovenisë, me prejardhje serbe, është arrestuar.

Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani - ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.

Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.

Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?

Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.
Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.

“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.

Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.

Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.

Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.

"Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë", tha Artani në këtë incizim.

Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.

Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se "Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit".

Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.

Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.

Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.

Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.

Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.

Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG