I përzgjedhuri për kandidat për nënpresident të SHBA-së, J.D. Vance, do të prezantohet para audiencës të mërkurën, kur do t’i drejtohet Konventës Kombëtare Republikane.
Vance u përzgjodh këtë javë nga ish-presidenti Donald Trump, i cili do të garojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kundër presidentit aktual, Joe Biden.
Fjalimi i Vances, senator nga Ohajo, do të jetë i pari i tij si kandidat republikan për zëvendëspresident.
AP shkruan se ai është pak i njohur politikisht, por se “me shpejtësi është shndërruar nga një kritik i ashpër i Trumpit, në një mbrojtës agresiv”.
Trump, si kandidat i nominuar për president, do t’i drejtohet Konventës Republikane të enjten, në natën e fundit të saj.
Pak ditë më parë, ai tha se e ka rishkruar krejtësisht fjalimin e tij, pas atentatit që pësoi më 13 korrik.
Në vend se ta kritikojë presidentin aktual, Joe Biden, Trump tha se do të përçojë mesazhe uniteti.
Trump, 78 vjeç, u plagos në vesh derisa fliste në një tubim në Batler të Pensilvanisë.
Sulmuesi i dyshuar i tij, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.
Nga të shtënat u vra një spektator, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.
“Do të jetë një fjalim krejt ndryshe. Kjo është një mundësi për ta bashkuar vendin. Mua më është dhënë kjo mundësi”, tha Trump duke paralajmëruar fjalimin e së enjtes.