Ndërlidhjet

Që nga viti 2007, 56 të arratisur nga burgjet në Kosovë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Që nga viti 2007 e deri më tani, nga burgjet e Kosovës janë arratisur - ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e kalimit të fundjavës jashtë burgut – 56 persona.

Kështu bëri të ditur drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, gjatë një konference për media më 13 korrik.

Konferenca u mbajt pas ditëve të fundit janë arratisur dy persona nga burgjet: Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj.

Sipas Dibranit, Hajrizi dhe Metaj kanë pasur të drejtë të kalojnë fundjavën në shtëpi dhe ata e kanë shfrytëzuar këtë gjë, duke mos u kthyer në institucionin korrektues.

Dibrani tha se Hajrizi është i dënuar me 25 vjet burgim, por në vitin 2019 ai ka përfunduar gjysmë e dënimit dhe me ligjet në fuqi, ai ka të drejtë që fundjavat t’i kalojë në shtëpi.

“I njëjti për disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar fundjavën në shtëpi, por është rikthyer në burg”, tha Dibrani.

Hajrizi kishte qenë i burgosur në Dubravë, në institucion ë tipit të hapur, që nënkupton se aty ka vendpunime, ku të burgosurve u mundësohet të punojnë pa mbikëqyrjen e stafit. Ai, sipas Dibranit, kishte shftytëzuar katër herë të drejtën për të vizituar familjen për shkak të sjelljes së mirë, që i ka mundësuar të kalonte në institucion të tipit të hapur.

Drejtori i Shërbimit Korrektues foli edhe për të arratisurin tjetër, Ujkan Mataj, i dënuar me 11 burgim për ndihmë në grabitjen e një banke në Istog.

Ai sipas Dibranit kishte fituar të drejtën e kalimit të fundjavës në shtëpi janarin e këtij viti. Ai po ashtu kishte qenë i vendosur në institucion të tipit të hapur.

Ndërkaq, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se personat e arratisur së fundi "janë larguar", duke shpejguar se Kosova ka dy lloje të institucioneve korrektuese, të tipit të mbyllur ku ka siguri të lartë, dhe të tipit të hapur, ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta.

"Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim”, tha ai.

Sallahu shtoi se sapo të kapen dy të arratisurit ata do të humbasin të gjitha privilegjet që kishin pasur, pra do të kthehen në institucionin e tipit të mbyllur të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Në Kosovë janë 11 qendra të Shërbimit Korrektues, që përfshijnë qendra të paraburgimit, korrektuese dhe burg të sigurisë së lartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG