Ndërlidhjet

Debat publik në Serbi për mundësitë e përdorimit të energjisë bërthamore


Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, mori pjesë në nënshkrimin e memorandumit në fushën e aplikimit të energjisë bërthamore. Beograd, 10 korrik 2024.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, mori pjesë në nënshkrimin e memorandumit në fushën e aplikimit të energjisë bërthamore. Beograd, 10 korrik 2024.

Pesë ministri në Serbi nënshkruan të mërkurën një memorandum mirëkuptimi në fushën e aplikimit të energjisë bërthamore, bashkë me 20 institucione dhe institute shkencore-akademike, bëri të ditur Qeveria e Serbisë.

Me këtë veprim, siç paralajmëroi më herët Ministria e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë, filloi debati publik për mundësitë e përdorimit të energjisë bërthamore në Serbi, në kohë paqeje.

Në nënshkrimin e memorandumit mori pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili tha se ky hap korrigjon gabimin e bërë në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, kur shteti ndaloi prodhimin e energjisë bërthamore.

Ai iu referua një moratoriumi të vitit 1989 mbi ndërtimin e termocentraleve bërthamore në territorin e Serbisë, i cili daton nga periudha e Jugosllavisë socialiste.

Vuçeviq tha se është e mundur që të zhvillohet energjia bërthamore, pa rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve të Serbisë.

“Besoj se ky është një shans i madh për zhvillimin e Serbisë. Pres nga ju që të punoni në mënyrë transparente dhe të hapur”, tha Vuçeviq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Memorandumin në Pallatin e Serbisë në Beograd e nënshkruan Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit, Ministria e Minierave dhe Energjisë, Ministria e Shkencës, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, bashkë me Elektrodistribucionin e Serbisë, Rrjetin Elektrik të Serbisë, Institutin e Shkencave Bërthamore Vinça etj.

Zyrtarët në Serbi janë duke shqyrtuar zhvillimin dhe përdorimin e energjisë bërthamore në përpjekje për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit dhe për t’u zhvendosur nga karburantet fosile te burimet e rinovueshme të energjisë.

Serbia është nënshkruese e Deklaratës për Agjendën e Gjelbër, e miratuar në vitin 2020 në Samitin e Sofjes.

Me këtë deklaratë, Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë zotuar se do të heqin dorë nga qymyri deri në vitin 2050.

Sipas Agjencisë së Energjisë në Serbi, ky vend, për prodhimin e energjisë elektrike, mbështetet kryesisht në termocentralet me qymyr.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG