Ndërlidhjet

Macroni i kërkon Attalit të qëndrojë në postin e kryeministrit


Kryeministri i Francës, Gabriel Attal, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Francës, Gabriel Attal, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vendosi që të mbajë Gabriel Attalin në postin e kryeministrit, pas rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare, në të cilat humbi grupimi i tij centrist, teksa asnjë parti nuk fitoi shumicën.

“Presidenti i ka kërkuar Gabriel Attalit të qëndrojë në postin e kryeministrit tash për tash, në mënyrë që të ketë stabilitet në vend”, tha zyra e Macronit.

Të dielën, Attal njoftoi se do të paraqiste dorëheqjen e tij, pas rezultateve të zgjedhjeve, por shtoi se është i gatshëm të qëndrojë si kryeministër në detyrë, nëse presidenti vendos kështu.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, i pari doli blloku i krahut të majtë, që bllokoi përpjekjen e ekstremit të djathtë të vijë në pushtet.

Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë doli fuqia dominuese në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por asnjë grup nuk ka fituar vetëm shumicën dhe ka mundësi që ky front të formojë një qeveri të pakicës apo të synojë ndërtimin e një koalicioni më të gjerë.

Rezultatet e zgjedhjeve ishin një goditje e madhe për presidentin francez, Emmanuel Macron, duke paralajmëruar një periudhë të paqëndrueshmërisë politike vetëm disa javë para se Parisi të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike.

Macron përfundoi me një Parlament jashtëzakonisht të fragmentuar, që pritet të dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe do ta bëjë të vështirë për këdo që të shtyjë përpara agjendat e brendshme.

E majta fitoi 182 ulëse, aleanca centriste e Macronit 168 dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen dhe aleatët 143, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të publikuara nga gazeta Le Mond.

“Sipas logjikës së institucioneve tona, Emmanuel Macron duhet që zyrtarisht sot të ftojë Frontin e Ri Popullor që të nominojë një person për kryeministër”, tha liderja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, një prej shumë figurave të Frontit të Ri Popullor që shihet si kandidate potenciale për këtë post.

“A do ta bëjë ai këtë? Si gjithmonë, presidenti na befason. Le ta shohim”, tha ajo për Radio RTL.

Partitë e Frontit të Ri Popullor – ku bëjnë pjesë Partia Komuniste Franceze, Franca e Panënshtruar nga krahu i majtë, të Gjelbërit dhe Partia Socialiste – u takuan gjatë natës për bisedimet e para se si të veprojnë pas zgjedhjeve.

Udhëheqësi i “Franca e Panënshtruar”, Jean-Luc Melenchon, tha se kryeministri i ri duhet të jetë nga Fronti i Ri Popullor. Megjithatë, ky bllok nuk ka lider dhe partitë që janë pjesë e këtij fronti janë thellësisht të ndara lidhur me atë se kush duhet të jetë kandidat për kryeministër.

Disa prej figurave centriste, përfshirë Edouard Philippe, ish-kryeministër gjatë udhëheqjes së Macronit, tha se është i gatshëm të punojë për një marrëveshje që të ketë një ekzekutiv të qëndrueshëm, por shtoi se nuk janë të gatshëm të punojnë me partinë e Melenchonit, që shumë nga centristët në Francë e shohin po aq ekstremiste sa Tubimi Kombëtar.

Rezultatet e partisë së Le Pen ishin shumë larg nga sondazhet e mëhershme që parashihnin një fitore të Tubimit Kombëtar.

Aleanca e majtë dhe ajo centriste bashkëpunuan pas rundit të parë të zgjedhjeve, duke tërhequr kandidatët – kur kishte gara në mes të tre kandidatëve – në mënyrë që të bashkonin forcat kundër Tubimit Kombëtar.

Le Pen, e cila me gjasë do të jetë kandidatja e partisë së saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, tha pas zgjedhjeve se Tubimi Kombëtar ka shënuar fitore në krahasim me zgjedhjet paraprake, duke trasuar rrugën për të ardhmen.

“Fitorja jonë thjesht është vonuar”, tha ajo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG