Ndërlidhjet

Pse po e kundërshtojnë pakistanezët operacionin e ri antiterror?


Në qytezën Miran Shan, një ushtar pakistanez duke inspektuar një shtëpi të shkatërruar gjatë operacionit ushtarak kundër militantëve talibanë më 2014.
Në qytezën Miran Shan, një ushtar pakistanez duke inspektuar një shtëpi të shkatërruar gjatë operacionit ushtarak kundër militantëve talibanë më 2014.

Sanaullah, biznesmen nga veriperëndimi i Pakistanit, kundërshton operacionin ushtarak që Islamabadi thotë se është thelbësor për të luftuar terrorizmin në shtet.

Sanaullah, i cili u prezantua vetëm me emër, udhëheq organizatën lokale të tregtisë në qytezën Miran Shah, selisë administrative të Vazisitanin e Veriut – qark malor në veriperëndim të provincës Kiber Paktunkva, që gjendet në kufi me Afganistanin.

Një ofensivë e mëhershme ushtarake për Sanaullahun u shndërrua në tragjedi personale. Në qershor të vitit 2014, kur ushtria pakistaneze nisi operacionin e quajtur “Zarb-e Azab” për të shënjestruar mijëra militantë që tha se po fshiheshin në Vaziristanin Verior, ai humbi dyqanin ushqimor dhe shtëpinë e tij.

“Ai nuk ishte operacion kundër terroristëve”, thotë Sanaullah. “Por, një skemë për të na i marrë bizneset tona, shtëpitë dhe gjësendet tona”.

Sanaullahut ende i kujtohet kur u kthye në Miran Shah në gusht të vitit 2014, dy muaj pasi ushtria e detyrojë atë dhe qindra mijëra banorë të Vaziristanin Verior që të shpërnguleshin në qarkun fqinj, Banu.

“Dyqani im dhe tregu ku gjendej u bënë rrafsh me tokë”, thotë ai. “Edhe shtëpia mu shkatërrua”.

Përderisa ushtria thotë se luftimet shkaktuan dëmet, banorët lokalë ende nuk e dinë nëse tregjet dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan nga luftimet tokësore apo nga sulmet ajrore, apo thjesht u shkatërruan pasi u grabitën.

Tani, dhjetë vjet më vonë, Sanaullahu ka ngritur sërish biznesin e tij, por thotë se nuk ka qenë e lehtë. Qeveria i ka ofruar atij kompensim në vlerë prej 5.000 dollarësh për humbjet që ka pësuar, të cilat thotë se kalojnë shifrën prej 100.000 dollarësh.

“Ne nuk jemi mbështetës të terroristëve, por ne kemi frikë se operacioni i planifikuar vetëm do të na vjedhë sërish”, thotë ai.

Sanaullahu nuk është i vetmi që ka këtë shqetësim. Shumica e partive politike, afaristët, udhëheqësit fisnorë dhe aktivistët në Kiber Paktunkva janë kundër operacionit “Azm-e-Istehkam”, pasi Qeveria federale e miratoi atë më 22 qershor.

Që nga viti 2003, më shumë se 80.000 civilë, ushtarë dhe militantë janë vrarë gjatë sulmeve terroriste dhe operacioneve ushtarake kundër terrorizmit në mbarë Pakistanin. Banorët pashtunë etnikë të Kiber Paktunkvës përbëjnë numrin më të madh të të vrarëve dhe të plagosurve. Operacionet ushtarake po ashtu kanë detyruar mbi 6 milionë pashtunë të zhvendosen dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Dhjetëra persona duke protestuar në Svat, në veriperëndim të Pakistanit, më 3 korrik, duke kërkuar nga Qeveria që të mos nisë operacion të ri kundër terrorizmit.
Dhjetëra persona duke protestuar në Svat, në veriperëndim të Pakistanit, më 3 korrik, duke kërkuar nga Qeveria që të mos nisë operacion të ri kundër terrorizmit.

Qeveria provinciale në Kiber Paktunkva, që udhëhiqet nga partia opozitare Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI), po ashtu është kundër operacionit të ri ushtarak dhe ka punuar për të bërë bashkë udhëheqësit politikë dhe fisnorë në këtë kundërshtim.

Shumica e operacioneve antiterror në Pakistan, të zhvilluara mes viteve 2003-2014 ishin të lidhura me Luftën Botërore Kundër Terrorizmit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Këto operacione vunë Uashingtonin dhe ushtrinë pakistaneze kundër Al-Kaidës dhe grupeve të tjera militante pakistaneze. Por, Islamabadi gjerësisht kurse talibanët afganë.

Në vend se të mbështesnin qëllimet kundër terrorizmit të SHBA-së, politikanët pakistanezë thanë se operacioni i fundit është pjesë e përpjekjeve të Islamabadit për të mbrojtur investimet kineze multimiliardëshe. Kur udhëheqësit e Pakistanit vizituan Kinën në qershor, Pekini përsëriti kërkesën e tij që Islamabadi të përmirësojë sigurinë për projektet kineze.

Më 2014, Pekini njoftoi për një projekt ambicioz që lidh rajonin e tij perëndimor të Ksinjangut me portin në Gvadar në jug të Pakistanit – që gjendet në Detin Arabik – si pjesë e nismës së tij, Brezi dhe Rruga.

Por, që nga viti 2018, shqetësimet e sigurisë, trazirat politike dhe ekonomia e paqëndrueshme kanë bllokuar nismën e investimeve në vlerë prej më shumë se 62 miliardë dollarësh, e njohur si Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC).

Kina tani po kërkon siguri të plotë për dhjetëra mijëra punëtorë të saj përpara se të ringjallë projektin CPEC apo të zotohet për investime të reja në Pakistan.

Që nga viti 2004, Tehreek-e Taliban Pakistan (TTP), një grup radikal islamist i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni, Shteti Islamik-Korasan (IS-K) – krahu afgan i grupit ekstremist, Shteti Islamik – dhe separatistët sekularë të baluçëve etnikë kanë shënjestruar punëtorë kinezë, duke vrarë dhjetëra prej tyre. Në maj, një sulm vetëvrasës me bombë vrau pesë punëtorë kinezë në Kiber Paktunkva.

Alamzaib Khan Mehsud, aktivist politik në qarkun e Vaziristanit Jugor të Kiber Paktunkvës, thotë se banorët e provincës besojnë se operacionet antiterror të Islamabadit në thelb janë të orientuara drejt përfitimit dhe jo luftimit të terrorizmit.

Mehsud dhe kritikët e tjerë pretendojnë se qasja kundër terrorizmit e Islamabadit ishte përqendruar në sigurimin që shteti të vazhdojë të marrë ndihma në dollarë në këmbim të operacioneve antiterror, që sipas tyre, kanë dështuar të eliminojnë organizatat e mëdha militante. Pakistani ka pranuar më shumë se 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ndihmë civile nga Uashingtoni në periudhën 2001-2021.

“Kohërat kanë ndryshuar, por qasja e Qeverisë kundër terrorizmit mbetet e njëjtë”, thotë ai. “Njerëzit janë të frikësuar se ofensiva e re nuk do të arrijë asgjë kundër militantëve, por vetëm do të dëmtojë civilët”.

Civilët duke u larguar për shkak të luftimeve në Vaziristanin Verior më 2014.
Civilët duke u larguar për shkak të luftimeve në Vaziristanin Verior më 2014.

Që nga viti 2018, aktivisti 33 vjeç vazhdimisht është arrestuar për shkak se ka protestuar kundër vrasjeve të paligjshme dhe zhdukjeve të dhunshme, në mes të fushatave pakistaneze kundër terrorizmit.

Më herët gjatë këtij viti, Alamzaib Khan Mehsud shoqëroi një delegacion të udhëheqësve fisnorë nga fisi i tij, Mehsud. Ky delegacioni udhëtoi për në kryeqytet, Islamabad, për të kërkuar kompensim për humbjet e shkaktuara nga operacionet ushtarake. Më 2009, një ofensivë e madhe ushtarake zhvendosi 500.0000 pjesëtarë të fisit Mehsud nga Vaziristani Jugor për gjashtë vjet.

“Ne po dëgjonim dhe zyrtarët e lartë premtuan se do të ndihmonin, por ndihma konkrete ka qenë e pakët”, thotë ai.

Kritikat e shumta detyruan zyrën e kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif, që të deklarojë se operacioni i ri nuk do të kërkojë zhvendosje masive të popullsisë, sepse do të realizohet përmes bastisjeve të vogla.

Banorët në Banu, në veriperëndim të Pakistanit më 21 qershor u mblodhën për të kërkuar nga Qeveria që të rivendos sigurinë në qytet dhe qarqet përreth.
Banorët në Banu, në veriperëndim të Pakistanit më 21 qershor u mblodhën për të kërkuar nga Qeveria që të rivendos sigurinë në qytet dhe qarqet përreth.

“Sipas informacioneve, [operacioni] Azm-e Istehkam do të mobilizojë më shumë operacionet e armatosura për të çrrënjosur ekstremizmin e dhunshëm në shtet me vendosmëri”, u tha në deklaratën e zyrës së kryeministrit që u lëshua më 22 qershor.

Më 1 korrik, ushtria pakistaneze tha se vrau nëntë “terroristë” në dy operacione të ndara në Kiber Paktunkva dhe ishte e “vendosur për të çrrënjosur terrorizmin nga shteti”.

Në Islamabad, Ihsanullah Tipu Mehsud, drejtor i lajmeve në Khorasan Diary – ueb-faqe që gjurmon grupet militante në Afganistan dhe Pakistan – tha se kundërshtimi i ofensivës është “i paprecedent”.

Mehsud, i cili nuk është i lidhur me Alamzaib Khan Mehsud, thotë se shumë banorë të Kiber Paktunkvës janë traumatizuar nga operacionet e mëhershme ushtarake.

“Ka mungesë të theksuar të besimit mes njerëzve dhe Qeverisë lidhur me operacionet antiterror”, thotë ai. “Civilët pësuan dëme të mëdha, por militantët shpëtuan gjithmonë dhe u rikthyen”.

Në Miran Shah, biznesmeni Sanaullah thotë se banorët e Vaziristanit Verior nuk do të lejojnë që në atdheun e tyre të zhvillohet edhe një operacion ushtarak.

“Do të duhet të na vrasin para se të kryejnë një operacion tjetër ndaj nesh”, thotë ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG