Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nuk mund të ndiqet penalisht për veprime zyrtare që i ka ndërmarrë gjatë kohës në detyrë.
Në një vendim të ndarë 6-3, gjykata vendosi që, derisa ish-presidentët gëzojnë imunitet për veprimet që i ndërmarrin brenda autoritetit të tyre kushtetues, ata nuk gëzojnë imunitet për veprimet e ndërmarra në kapacitet privat.
Kjo është hera e parë që Gjykata Supreme e SHBA-së deklaron se ish-presidentët mund të mbrohen nga akuzat penale në çdo instancë.
Gjashtë gjykatësit konservatorë të Supremes votuan njerëzi, ndërsa tre gjykatësit liberalë kundërshtuan.
“Ne erdhëm në përfundim se, në përputhje me strukturën tonë kushtetuese të pushteteve të ndara, natyra e pushtetit presidencial kërkon që ish-presidenti të ketë ca imunitet nga ndjekja penale për veprimet zyrtare gjatë kohës së tij në detyrë”, tha shefi i Drejtësisë, John Roberts.
“Së paku në lidhje me ushtrimin e të drejtës së pushtetit thelbësor kushtetues nga presidenti, imuniteti i tij duhet të jetë absolut. Ai ka të drejtë për imunitet edhe për veprimet e tjera zyrtare”, tha ai.
Robert tha se rasti i Trumpit do të dërgohet në gjykata më të ulëta për rishikim të mëtejmë të tij.
Supremja i analizoi katër kategori të sjelljes që përmban aktakuza kundër Trumpit: diskutimet e Trumpit me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë pas zgjedhjeve të vitit 2020, trysnia që ai dyshohet se ia bëri zëvendëspresidentit të atëhershëm, Mike Pence, për ta ndaluar certifikimin e fitores së Bidenit, rolin e tij të dyshuar në mbledhjen e elektoratit të rrejshëm në favor të vetin dhe për sjelljen e tij në lidhje me sulmin e 6 janarit 2020 në Kapitol.
Gjykata gjeti se Trumpi ka imunitet të plotë për bisedime me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, por e ktheu rastin në gjykatat e shkallëve të ulëta për të gjykuar nëse Trumpi ka imunitet për tri kategoritë e tjera.
Ky vendim u mor nga Supremja pas ankesës së Trumpit ndaj vendimit të gjykatës së një instance më të ulët, e cila e kishte hedhur poshtë pretendimin e tij për imunitet.
Trumpi është kandidati republikan që po e sfidon presidentin demokrat, Joe Biden, për zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 nëntorit.
Vendimi i sotëm i Supremes i zvogëlon gjithashtu gjasat që Trumpi të përballet para zgjedhjeve me gjyqin për akuzat se kishte komplotuar që të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Trump kishte argumentuar se ishte imun ndaj ndjekjes penale, sepse shërbente si president kur i bëri veprimet për të cilat akuzohet sot.
Ndërkohë, Trump është ish-presidenti i parë amerikan që shpallet shpallur fajtor për vepër penale.
Më 30 maj një gjykatë në Nju Jork e shpalli Trumpin fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.