Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se nuk ka asnjë pengesë për Turqinë dhe Sirinë që të rivendosin raportet diplomatike, të cilat u shkëputën kur nisi lufta civile siriane mbi një dekadë më parë.
Komentet e tij vijnë disa ditë pasi presidenti sirian, Bashar al-Assad, bëri deklarata të ngjashme, duke lënë të kuptohet se ka vullnet mes dy shteteve që t’i japin fund tensioneve dhe të normalizojnë raportet.
“Nuk ka asnjë arsye pse [raportet diplomatike] të mos vendosen”, tha Erdogan për gazetarët.
“Në të njëjtën mënyrë që i mbajtëm gjallë raportet tona me Sirinë në të kaluarën – ne mbajtëm takime me Assadin, që përfshinin edhe takime familjare – nuk mund të them se nuk do të ndodhë më”, tha Erdogan. Ai iu referua një pushimi që Erdogan dhe familja e Assadit bënë së bashku në jug të Turqisë më 2008, para se raportet mes tyre të përkeqësoheshin.
Gjatë konfliktit sirian, Turqia ka mbështetur grupet e armatosura opozitare në veriperëndim të Sirisë, që synojnë ta rrëzojnë nga pushteti Assadin. Qeveria siriane vazhdimisht ka dënuar kontrollin mbi territorin që ka Ankaraja. Turqia ka kryer disa inkursione ushtarake që nga viti 2016, duke shënjestruar forcat kurde – që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara – që Ankaraja i konsideron terroristë.
Të mërkurën, media shtetërore siriane raportoi se në një takim me të dërguarin e posaçëm të presidentit rus, Vladimir Putin, për Sirinë, Alexander Lavrentiev, Assad “riafirmoi gatishmërinë e Sirisë ndaj të gjitha nismave që lidhen me marrëdhëniet midis Sirisë dhe Turqisë, bazuar në sovranitetin e shtetit sirian në të gjitha territoret e saj dhe në luftimin e të gjitha formave të terrorizimit”.
I dërguari rus, ndërkaq tha se “rrethanat aktuale duken më të favorshme se më herët për të pasur sukses në ndërmjetësim, ndërkaq Rusia është e gatshme të punojë për të shtyrë përpara negociatat, që synojnë rivendosjen e raporteve mes Sirisë dhe Turqisë”, raportoi media shtetërore siriane, SANA.
Erdogan u tha gazetarëve se Turqia respekton sovranitetin e Sirisë.
Turqia ka tentuar që të përmirësojë raportet me Sirisë, teksa Qeveria po përballet me presion brenda vendit për të riatdhesuar miliona refugjatë sirianë, që gjenden në Turqi.