Ndërlidhjet

Kushtetuesja shpall të pavlefshëm Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në vendim, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji, por tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore “është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Lënda në Kushtetuese u dërgua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që është subjekti më i madh opozitar.

Vendimi i Kushtetueses është kritikuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se kjo lëndë u dërgua në gjykatë, për të "sabotuar" reformën në drejtësi.

"Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet", shkroi ajo në Facebook.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, që tashmë është shpallur i pavlefshëm, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.

“Përderisa Byroja Shtetërore ka kompetencën e plotë për verifikimin dhe propozimin për konfiskimin e pasurisë, janë gjykatat ato të cilat kanë kompetencën për të vendosur nëse pasuria kontestuese i nënshtrohet konfiskimit ose jo”, tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Deputetët e PDK-së kanë argumentuar para Kushtetueses se ky ligj cenon parimet e sundimit të ligjit, atë të sigurisë juridike, por edhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, përfshirë instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare.

Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG