Ndërlidhjet

Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s


Mark Rutte u emërua shef i ri i NATO-s të mërkurën më 26 qershor 2024.
Mark Rutte u emërua shef i ri i NATO-s të mërkurën më 26 qershor 2024.

Aleatët e NATO-s e kanë emëruar të mërkurën kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.

Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.

“Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, tha NATO-ja në një komunikatë.

Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut, tha ajo.

Rutte tha se mezi pret ta fillojë punën e re me “entuziazëm të madh”.

“Aleanca është dhe do të mbetet themeli i sigurisë sonë të përbashkët. Ta udhëheq këtë organizatë është një përgjegjësi që e marr me seriozitet”, shkroi Rutte në X.

Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë.

Megjithatë, ata në fund e mbështetën Rutten, i cili është një kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe aleat i patundur i Ukrainës.

Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Ruttes një lider të “fuqishëm transatlantik”.

“E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Stoltenberg.

NATO-ja merr vendime me bashkëpajtim, prandaj Rutte, i cili po largohet nga politika në Holandë pas gati 14 vjetësh, mund të konfirmohej vetëm pasi ta fitonte mbështetjen e të gjitha 32 vendeve anëtare.

Rutte do të përballet me sfidën për ta ruajtur mbështetjen e aleatëve për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, duke e siguruar njëkohësisht që NATO-ja të mos zhytet në luftë me Moskën.

Lidhjet e Mark Ruttes me Kosovën ndër vite

Te Mark Rutte autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh - nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi Rutten të mërkurën për postin e ri dhe tha se mezi pret të punojë me të për ta çuar përpara synimin e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s, si dhe për të punuar “për paqe dhe siguri afatgjate në kontinentin tonë dhe më gjerë”.

“Përvojë, lidershipi dhe ditura e tij do të jenë të vlefshme për aleancën! Për gjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme, dhe nuk dyshoj se bashkëpunimi ynë i fuqishëm do të vazhdojë teksa ai e merr përsipër këtë përgjegjësi të re”, shkroi Osmani në X.

Vizitën e fundit në Kosovë Rutte e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Osmani e takoi për herë të fundit Rutten javën e kaluar, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër.

“Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, shkroi Osmani asokohe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG