Ndërlidhjet

Fillon gjyqi ndaj gazetarit amerikan në Rusi, SHBA-ja kërkon lirimin e tij


Gazetari amerikan Evan Gershkovich në gjykatë në Jekaterinburg, Rusi, 26 qershor 2024.
Gazetari amerikan Evan Gershkovich në gjykatë në Jekaterinburg, Rusi, 26 qershor 2024.

Gjyqi ndaj gazetarit amerikan të burgosur në Rusi, Evan Gershkovich, ka filluar të mërkurën, për akuza për spiunazh, të cilat ai, Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane i hedhin poshtë si të motivuara politikisht.

Gershkovich u pa me kokë të rruar teksa qëndroi mbrapa xhamave në një paraqitje të shkurtër para gazetarëve në sallën e gjyqit.

Gjyqi ndaj tij po mbahet me dyer të mbyllura në një gjykatë në Jekaterinburg, në qytetin Ural, ku Gershkovich u arrestua më 29 mars 2023 gjatë një vizite për reportazh dhe u akuza se tentoi të siguronte të dhëna të fshehta ushtarake.

Ambasada amerikane në Moskë, përfaqësuesit e së cilës u lejuan vetëm shkurtimisht në seancë, tha në një komunikatë se autoritetet ruse dështuan të ofrojnë dëshmi për t’i mbështetur akuzat dhe bëri thirrje që Gershkovich të lirohet menjëherë.

Ajo i bëri thirrje Moskës të mos i përdor shtetasit amerikanë për qëllime politike.

“Bëhet fjalë për përdorimin e qytetarëve amerikanë nga Kremlini për arritje të synimeve politike. Rusia nuk duhet t'i përdorë Evan Gershkovichin, [ish-marinsin amerikan] Paul Whelan, si monedha pazari. Të dy duhet të lirohen menjëherë”, tha Ambasada amerikane.

Prokurori rus, Mikael Ozdoyev, pretendoi se Gershkovich po mblidhte të dhëna sekrete ushtarake për CIA-n.

“Hetimi ka gjetur dhe dokumentuar se gazetari amerikan i The Wall Street Journal, Gershkovich, me udhëzime të CIA-s... mblodhi të dhëna sekrete për aktivitetet e një ndërmarrjeje të mbrojtjes për prodhimin dhe riparimin e pajisjeve ushtarake në rajonin Sverdlovsk”, tha Ozdoyev, pa dhënë hollësi për provat e dyshuara.

E përditshmja amerikane Wall Street Journal – për të cilën ka punuar gazetari – dhe Qeveria amerikane, i hedhin poshtë vazhdimisht.

Mediat, miqtë, anëtarët e familjes, e as pjesëtarë të Ambasadës amerikane nuk lejohen të marrin pjesë në seancat gjyqësore. Të dyja institucionet kanë deklaruar disa herë që Gershkovich, 32-vjeçar, ka qenë duke e bërë punën e tij kur është arrestuar.

Zyrtarët e gjykatës njoftuan se seanca e radhës ndaj Gershkovich do të mbahet më 13 gusht.

Gershkovich, i lindur në Amerikë nga prindër emigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik, është gazetari i parë amerikanë që arrestohet për akuzat për spiunazh në Rusi prej Luftës së Ftohtë.

Ai rrezikon të dënohet me burgim deri në 20 vjet, nëse shpallet fajtor, gjë që është pothuajse e sigurt.

Autoritetet ruse nuk kanë dhënë asnjë dëshmi për t’i mbështetur akuzat ndaj tij për spiunazh.

Gershkovich është duke u mbajtur në burgun famëkeq të Moskës, Lefortovo, prej se u arrestua dhe të gjitha ankesat e tij për lirim janë hedhur poshtë.

Shefi ekzekutiv i Dow Jones dhe botuesi i Wall Street Journal, Almar Latour, dhe kryeredaktorja e gazetës, Emma Tucker, thanë në një komunikatë më 13 qershor se Gershkovich po përballet me “akuza të rrejshme dhe të pabaza”.

Qeveria amerikane ka thënë se Gershkovich dhe një amerikan tjetër, ish-marinsi amerikan Paul Whelan i cili po e kryen një dënim me 16 vjet burgim i akuzuar për spiunazh, janë “ndaluar padrejtësisht”.

Një tjetër shtetase amerikane që aktualisht po mbahen prej autoriteteve ruse është edhe Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë.

Ajo u arrestua në Kazan të Tatarstanit në tetor të vitit 2023 dhe akuzohet se ka dështuar të regjistrohet si “agjente e huaj”, si dhe për shpërndarje të të pavërtetave për ushtrinë ruse.

Nëse dënohet, ajo përballet me 10 vjet burgim.

Autoritetet amerikane kanë thënë se Kurmasheva është arrestuar në shenjë hakmarrjeje për punën që ka bërë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG