Ndërlidhjet

Hungaria do ta bëjë prioritet migrimin përgjatë Presidencës së BE-së


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u ka thënë mediave gjermane se ai dëshiron të bëjë çështjen e migrimit si temë kyçe kur Hungaria të jetë në krye të BE-së, në Presidencën gjashtëmujore me rotacion.

Orban ka thënë për grupin medial Funke se mirëpret pozicionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili aktualisht është duke analizuar mënyra se si mund të kryhen procedurat e azilit prej vendeve jashtë bllokut evropian.

Aktualisht presidencën e BE-së e ka Belgjika, ndërsa prej 1 korrikut në këtë pozitë do të jetë Hungaria.

Orbani ka thënë se Hungaria veçse është duke zbatuar një politikë që aplikimet për azil të vlerësohen në shtetet e treta, shembull në Ambasadën hungareze në Beograd, para se aplikuesve t’iu jepet drita e gjelbër për të hyrë në shtet.

Në muajin qershor, Gjykata Evropiane e Drejtësisë e ka urdhëruar Hungarinë të paguajë gjobë prej 200 milionë eurosh dhe shtesë 1 milion euro në ditë nëse nuk e zbaton vendimin për t’i ndryshuar politikat për azil.

Gjoba është vënë për shkak të një vendimi të gjykatës, të dhjetorit të vitit 2020, që e ka udhëruar Budapestin të ndërrojë procedurat për të garantuar mbrojtje ndërkombëtare dhe kthim të shtetasve të botës së tretë.

Presidenca e BE-së është pozitë goxha burokratike dhe përfshin krijimin e agjendave dhe zhvillimin e diskutimeve rreth një vendimi, dhe ka të bëjë kryesisht me gjetjen e një kompromisi mes vendeve të bllokut evropian, kur mungon konsensusi i qartë.

Hungaria është zotuar se do të jetë ndërmjetësuese e drejtë, ndonëse Budapesti nuk i ka marrëdhëniet më të mira me institucionet e BE-së, për shkak të çështjeve të lidhura me sundim të ligjit dhe korrupsion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG