Ndërlidhjet

Vuçiq i kërkon Macronit ta mbajë Kosovën lart në agjendën e BE-së


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris, më 8 prill 2024.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris, më 8 prill 2024.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka se i ka kërkuar homologut të vet francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike të premten se çështjet e rëndësishme për Serbinë, që ndërlidhen me Kosovën, të vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm në agjendën e Bashkimit Evropian (BE).

Vuciq shkroi në Instagram se ato duhet të jenë pjesë e agjendës “me një angazhim të fortë diplomatik, i cili synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb”.

Vuçiq tha se me presidentin francez ka diskutuar edhe për sigurinë rajonale dhe stabilitetin ekonomik.

“Theksova se avokimi për dialog mbetet themeli i politikës së Serbisë në marrëdhëniet rajonale dhe faktori më i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të vështira me të cilat përballemi të gjithë ne”, shtoi Vuçiq.

Ai theksoi se ata diskutuan gjithashtu edhe për ndryshimet aktuale politike në kornizat evropiane dhe globale dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Serbi.

Serbia dhe Kosova zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, prej vitit 2011.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohen më 26 qershor në Bruksel për herë të parë këtë vit.

Herën e fundit që ata u takuan ishte më 14 shtator të vitit të kaluar, kur diskutuan për zbatimin e planit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, që e arritën më herët në vitin 2023 në Bruksel dhe Ohër.

Ai takim ishte i pasuksesshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG