Ndërlidhjet

SHBA-ja do t’i dërgojë Ukrainës raketa kundërajrore të planifikuara për vendet e tjera aleate


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, qëndron para një kundërajror Patriot në lindje të Gjermanisë, 11 qershor.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, qëndron para një kundërajror Patriot në lindje të Gjermanisë, 11 qershor.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se do ta përshpejtojë furnizimin e Ukrainës me raketa për mbrojtje ajrore duke ia dërguar asaj dërgesat e planifikuara për vendet e tjera aleate.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja e mori “këtë vendim të vështirë, por të nevojshme për ta ndryshuar prioritetin në lidhje me dërgesat e planifikuara të shitjes së armëve në vendet e tjera”.

Ai nuk tregoi se sa vende apo cilat vende preken nga ky vendim.

Vendimi nënkupton se dërgesat e “raketave që dalin nga linja e prodhimit” do të shkojnë në Ukrainë, në vend se të shkojnë në vende të tjera të planifikuara.

“Me këtë do të sigurohemi që do të jemi në gjendje ta furnizojmë Ukrainën me raketat të cilat i nevojiten për të pasur rezerva në këtë çast të rëndësishëm në luftë”, tha Kirby.

Vendimi i prek gjithashtu edhe raketat e përdorura nga Sistemi i Avancuar Kombëtar i Raketave Tokë-Ajër (NASAMS), si dhe raketat e përdorura nga kundërajrorët Patriotë, tha Kirby, duke theksuar se vendimi vlen vetëm për raketat.

Armë të tjera – sisteme radari dhe raketahedhësit – nuk janë në dispozicion, shtoi ai.

Dërgesa e parë do të kryhet para përfundimit të verës, tregoi Kirby. Dërgesat e përgjithshme do t’i mbulojnë nevojat e Ukrainës për 16 muaj përafërsisht.

Njoftimi i Kirbyt vjen disa orë pasi Rusia kreu sulme me raketa dhe dronë gjatë natës, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë në katër rajone, sipas kompanisë kombëtare ukrainase të energjisë, Ukrenerho.

“Pajisje janë dëmtuar në ndërtesat e energjisë në rajonet e Vinitsjas, Dnipropetrovskit, Donjeckut dhe Harkivit”, tha Ukrenerho përmes një postimi në Telegram.

Kjo kompani tha se gjatë sulmeve në një ndërtesë energjetike janë plagosur tre punonjës.

Ndaras, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia sulmoi Ukrainën më 20 qershor me nëntë raketa dhe 27 dronë.

Ushtria ukrainase tha se ka rrëzuar të gjithë dronët dh pesë raketa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG