Ndërlidhjet

Pse nuk munden "Mirëdita, dobar dan" dhe Vidovdan?


Të rinj nga Serbia vizitojnë Prishtinën me rastin e festivalit "Mirëdita, dobar dan", maj 2023.
Të rinj nga Serbia vizitojnë Prishtinën me rastin e festivalit "Mirëdita, dobar dan", maj 2023.

Kushtrim Koliqi, regjisor teatri dhe filmi, producent nga Kosova, do të shkojë në Beograd në fund të qershorit për festivalin “Mirëdita, dobar dan”.

Shfaqja “Babai dhe Babai” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, me regji të Koliqit, do të hapë këtë manifestim më 27 qershor.

Ai e sheh festivalin “Mirëdita, dobar dan” si një element shumë të rëndësishëm, sidomos në rrethanat e marrëdhënieve aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Shoqëritë mund të dëgjojnë një rrëfim të ndryshëm, ata mund të dëgjojnë një përvojë të ndryshme, ata mund ta shohin njëri-tjetrin. Shoqëritë tona janë plotësisht të izoluara nga njëra-tjetra", tha Koliqi për Radion Evropa e Lirë.

Festivali ndërton ura pas luftës në Kosovë në fund të viteve nëntëdhjetë dhe fokusohet në elementin e pajtimit të shoqërive, vendet e së cilave ende po zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve dy dekada më vonë.

“ ‘Mirëdita, dobar dan’ njihet si një festival që promovon solidaritetin, tolerancën, dialogun ndëretnik, dialogun ndërshtetëror”, shtoi Koliqi.
Ai është një nga organizatorët e festivalit si drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare të Kosovës Integra, e cila merret me ballafaqimin me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale.

Fakti që zyrtarë të caktuar në Beograd po kërkojnë anulimin e një festivali që promovon bashkëpunimin kulturor ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk e habit shumë atë.

Kushtrim Koliqi
Kushtrim Koliqi

Ai thotë se “politikanëve si ky u pëlqen të përdorin dhe abuzojnë me projekte si ‘Mirëdita, dobar dan’ për përfitimet e tyre politike”.

“Më vjen shumë keq që shoqëria në Serbi ka politikanë të tillë që përdorin dhe abuzojnë me ngjarje të tilla, që vazhdojnë të nxisin ndarjet mes shoqërive dhe njerëzve, nxisin ndarjet mes popujve”, shtoi Koliqi.

“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Këtë vit do të mbahet në Beograd nga 27 deri më 29 qershor.

Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare - Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.

Që nga themelimi më 2014, ky organizim kulturor në Beograd është përcjellë me protesta nga organizatat dhe partitë e krahut të djathtë në përpjekje për të parandaluar mbajtjen e saj.

Tani ftesa të tilla vijnë nga adresat më të larta zyrtare.

Pse zyrtarët në Beograd shqetësohen nga “Mirëdita, dobar dan”?

Thirrjet për anulimin ose shtyrjen e festivalit po bëhen për shkak se ngjarja treditore përkon me Vidovdanin.

Kjo festë fetare dhe kombëtare festohet më 28 qershor në kujtim të Betejës së Kosovës, kur u përplasën ushtritë serbe dhe turke në vitin 1389.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, fillimisht u bëri thirrje organizatorëve që të mendojnë për shtyrjen e festivalit dhe më pas edhe për anulimin e tij, për shkak se gjatë këtyre ditëve shënohet edhe Vidovdani.

“Mendoj se është një tubim me rrezikshmëri të lartë dhe bëjmë thirrje që të anulohet e gjithë ngjarja”, tha Daçiq më 18 qershor për televizionin Pink.

Ai shtoi se policia ka autoritet kur bëhet fjalë për tubimet në vende të hapura, por jo ato në ambiente të mbyllura, ku mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan”.

Paraprakisht, më 15 qershor, kryetari i Autoritetit të Përkohshëm të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, i bëri thirrje Qeverisë së Serbisë që të mendojë mirë nëse manifestimet si “Mirëdita, dobar dan” duhet të lejohen në Serbi.

Përkatësisht, ai pohoi se festivali “minon drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe juridik”, duke aluduar se Kosova, sipas Kushtetutës, është pjesë e Serbisë.

Edhe pse festivali ka vite që mbahet kryesisht në hapësira private, Shapiq tha se administrata e qytetit nuk do të lejojë që asgjë që lidhet me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të festivalit.

Kundër mbajtjes së festivalit në kohën që shënohet Vidovdani, është shprehur edhe ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviq.

Po ashtu, nënkryetari prorus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, siç raportojnë mediat e Beogradit, ka vlerësuar se mbajtja e festivalit njëkohësisht me shënimin e Vidovdanit, paraqet një fyerje së cilës shteti i Serbisë duhet t'i përgjigjet.

Ai, madje, tha se asnjë nga pjesëmarrësit e festivalit nuk do të kishte kaluar kufirin nëse do të ishte në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit apo në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Anulimin e festivalit e ka kërkuar edhe ministrja për Përkujdesje Familjare dhe Demografi, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, e cila kryeson partinë e djathtë Zavetnici.

Në vitet e mëparshme, ajo dhe partia e saj morën pjesë në protesta të krahut të djathtë në një përpjekje për të parandaluar zhvillimin e festivalit.

"Kërkimi i armikut brenda"

Marko Millosavljeviq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut i tha REL-it se reagimi i Qeverisë shërben për t’i "frikësuar organizatorët, njerëzit që do të donin të vinin në ngjarje të tilla dhe vetë pjesëmarrësit e festivalit".

“Unë do të thosha se është sërish kërkimi i një armiku të brendshëm në Serbi dhe se tani është radha e festivalit ‘Mirdita, dobar dan’”, beson ai.

Ai shtoi se policia është e detyruar t’i mbrojë të gjithë qytetarët, “përfshirë edhe ne, pavarësisht nëse njërit prej ministrave në Qeveri i pëlqen apo jo”.

Pas reagimeve fillestare të autoriteteve, organizatorët e festivalit bënë të ditur se më 28 qershor nuk do të ketë ngjarje publike.

Kushtrim Koliqi nga Integra theksoi se ngjarja nuk zhvillohet në ditën që mbahet Vidovdani, por është vetëm një nga ditët e festivalit.

“Festivali u shty dy herë për shkak të zgjedhjeve në Serbi, kështu që nuk ka kurrfarë tendence për datën”, deklaroi ai.

Marko Millosavleviq shton se nuk e kupton pse nuk duhet të promovohet bashkëpunimi kulturor edhe për Vidovdan.

"Mendoj se është në një farë mënyre një rast i shkëlqyer për të diskutuar për problemet, se cilat janë implikimet e dialogut që nuk funksionon midis autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, dhe se si jetojnë njerëzit, që vuajnë më shumë për shkak të tij", tha ai.

Marko Millosavleviq
Marko Millosavleviq

Ai kujton se prej vitesh thonë se përfaqësuesit e Qeverisë apo krerët e dhomave të tregtisë që mblidhen çdo ditë, nuk mund të kenë monopol në këtë lloj bisede.

“Kjo duhet të vlejë për të gjithë qytetarët, sepse kjo është mënyra e vetme për të arritur një lloj përmirësimi në marrëdhëniet midis dy vendeve”, tha Milosavleviq.

"Nuk është një ndjenjë e mirë të vish me frikë"

Në dekadën e kaluar, festivali u mbajt në Beograd me forca të forta policore që shpesh i penguan grupet e krahut të djathtë t’u afroheshin pjesëmarrësve.

Në Prishtinë, disa personazhe publike na akuzojnë në rrjetet sociale... Por, ky është maksimumi që kemi përjetuar në Prishtinë".

Në një atmosferë kaq të tensionuar mbërritën në Beograd mysafirë nga Kosova.

"Nuk është e lehtë për ne të vijmë nga Kosova në Serbi në emër të shoqërisë sonë, sepse ne e dimë mënyrën se si mendojnë ballkanasit. Por gjithashtu, kur vijmë, nuk është një ndjenjë e mirë të vish me frikë", tha Koliqi.

Ky regjisor dhe aktivist për të drejtat e njeriut tha se edhe ai që vjen shpesh në Beograd, ndihet shumë keq kur sheh turma të mëdha protestuesish.

“... të cilët bërtasin, na akuzojnë dhe na shajnë. Është një tronditje e përzier me habi, sidomos kur shoh të rinj që janë plot urrejtje”, shtoi ai.

Organizatorët e festivalit theksojnë se për dallim nga Beogradi, në Prishtinë nuk ka pasur demonstrata individuale dhe as të organizuara apo presione për ngjarjet brenda festivalit.

Atmosfera në Prishtinë është padyshim ndryshe, theksoi Koliqi.

"Në Prishtinë, disa personazhe publike na akuzojnë në rrjetet sociale. Sigurisht që ka shumë ofendime, ndoshta në internet, ndoshta akuza, çfarëdo. Por, ky është maksimumi që kemi pësuar apo përjetuar në rastin e Prishtinës", shtoi ai.

Marko Millosavleviq nga Nisma Rinore shtoi se festivali nuk i shkon për qejfi asnjë nacionalisti, as në Prishtinë e as në Beograd.

Çfarë ka në programin e festivalit?

Programi debatues i festivalit do t'u kushtohet çështjeve të shkëmbimit kulturor ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pra ndalimeve dhe pengesave në bashkëpunimin kulturor, akademik dhe artistik, si dhe trajtimin e trashëgimisë së luftës.

...ajo bisedë pastaj inkurajon përgjegjësinë dhe bën thirrje për paqe, dhe fatkeqësisht kjo nuk është politika aktuale e Serbisë".

"Ne i aktualizojmë këto tema në festival dhe duam t'i diskutojmë publikisht. Si për shembull për kërkimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë, por edhe nga luftërat në ish-Jugosllavi," tha Marko Millosavleviq nga YIHR-i.

Ai përmend se problemi kryesor i autoriteteve është dëshira për të “shuar bisedën gjithëpërfshirëse dhe kujtesën e luftës”.

“Sepse ajo bisedë pastaj inkurajon përgjegjësinë dhe bën thirrje për paqe, dhe fatkeqësisht kjo nuk është politika aktuale e Serbisë”, shtoi ai.

Në kuadër të programit debatues të festivalit do të bëhet edhe promovimi i librit “Shënimet e krimbit Smolinski” të shkrimtarit të ri Azem Deliu.

Në repertor janë edhe filmi “Vera ëndërron detin” e autores kosovare Kaltrina Krasniqi, një koncert i grupit kosovar “La Fazani” dhe një ekspozitë e artistes pamore Ermira Murati, emri artistik i së cilës është Orange Girl.

Festivali është shumë i rëndësishëm për të rinjtë, beson njëri prej organizatorëve, Kushtrim Koliqi, i cili ndër synimet kryesore e sheh tërheqjen e njerëzve “mainstream” sepse nuk ka pse t’i bindë partnerët apo të njëjtit mendim.

“Kur shohim të rinj që mund të takohen për herë të parë me shqiptarë dhe shohim reagimin apo komentet e tyre, në fakt është një arritje e madhe për ne”, tha ai.

Të rinjtë nga Serbia gjatë festivalit "Mirëdita dobar dan", edicioni i mbajtur në Prishtinë më 2023.
Të rinjtë nga Serbia gjatë festivalit "Mirëdita dobar dan", edicioni i mbajtur në Prishtinë më 2023.

Nga mbështetja te thirrjet për anulim

Në vitin 2016, festivali mori një letër të përbashkët nga kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rasti ishte 80-vjetori i lindjes së aktorit të njohur Bekim Fehmiu, i cili ishte frymëzimi për krijimin dhe realizimin e këtij festivali.

“Jeta e tij, arti përmes të cilit ai jetoi, na tregoi se ne mund ta kuptojmë njëri-tjetrin, se mund të mësojmë nga njëri-tjetri, se jemi të lidhur dhe se së bashku duhet të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat e ardhshëm”, thanë Vuçiq dhe Rama.

Një vit më parë, ministri i atëhershëm i Kulturës dhe Informacionit i Serbisë, Ivan Tasovac, e hapi festivalin me fjalët se “kultura na ndihmon të thyejmë keqkuptimet e ndërsjella, sepse kultura nuk njeh kufij”.

Megjithatë, tani ata ende po përpiqen ta vendosin atë kufi.

Kushtrim Koliqi, dramat e të cilit shfaqen në festival, tha se "Mirëdita, dobar dan" duhet të ekzistojë sepse është shenjë e demokracisë dhe lirisë.

"Nëse shoqëria nuk është e gatshme të organizojë dhe të krijojë një atmosferë për ngjarje të tilla, atëherë si ka kuptim të quhemi vende demokratike", pyeti ai.

Disa organizata joqeveritare në Serbi i kanë dënuar thirrjet për anulimin ose shtyrjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan”.

Thirrjet për ndalimin ose shtyrjen e manifestimeve u konsideruan "në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet që rregullojnë lirinë e tubimit dhe lirinë e fjalës dhe rrjedhimisht kundër rendit kushtetues të Serbisë".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG