Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.
Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Pjesëmarrësit, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve.
Deklarata përfundimtare thekson se karta e OKB-së dhe “respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit...mund dhe do të shërbjenë si themel për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate në Ukrainë”.
“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirje dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratë.
Viola Amherd, presidentja e Zvicrës e cila ishte nikoqire e samitit, tha në konferencë për media se fakti se “shumica dërrmuese” e pjesëmarrësve u pajtuan për deklaratën finale “tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”.
Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina. Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se samiti u quajt me të drejtë “Rruga drejt Paqes”, sepse një synim i tillë nuk do të arrihet me ndërmarrjen e vetëm një hapi.
“Nuk ishin negociata për paqe, sepse Putini nuk e ka njëmend përfundimin e luftës. Ai po ngul këmbë në kapitullim. Ai po ngul këmbë që t’i dorëzohet territori ukrainas – madje territori që sot nuk është i okupuar nga ai. Ai po ngul këmbë në çarmatimin e Ukrainës. Asnjë vend nuk do t’i pranonte kurrë këto kushte”, tha ajo.
Mbështetja nga liderët perëndimorë dhe liderë të tjerë në këtë samit për paqe për Ukrainën dëshmon se mund të rivendoset rendi dhe ligji ndërkombëtar, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas samitit dyditor në Burgenstok.
“Shpresoj se mund të arrijmë rezultate sa më parë”, tha ai gjatë tubimit. “Ne do t’ua dëshmojmë të gjithëve në botë se karta e OKB-së mund të rivendoset me efekt të plotë”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Radio Evropa e Lirë në konferencën e fundit për media në samit, Zelensky tha se deklaratës mund t’i bashkohen më shumë vende.
“Së pari, [kushti] nuk është nënshkrimi, por bashkimi [i deklaratës përfundimtare]. Ky është një dallim i rëndësishëm, sepse t’i bashkohesh deklaratës nënkupton se deklarata është e hapur”, tha ai.
“Madje edhe vendet të cilat po mendojnë t’i bashkohen asaj po mbajnë konsultime në vendet e tyre përkatëse”, shtoi ai.
Analisti politik rus, Aleksandr Morozov, tha për Current Time, një rrjet në gjuhën ruse i udhëhequr nga REL-i në bashkëpunim me Zërin e Amerikës, se vendet si Afrika e Jugut dhe India që nuk iu bashkuan deklaratës, po rezervojnë hapësirë për iniciativat e veta për paqe.
Ai tha se derisa këto ide nuk janë të këqija, ato vetëm sa do të dëshmojnë se kërkesat e Putinit nuk janë reale, sepse ato nuk e respektojnë integritetin territorial të Ukrainës, dhe kështu janë në kundërshtim me kartën e OKB-së.
Me këtë samit, Zelensky kërkoi që sa më shumë vende të botës ta mbështesin kauzën e Ukrainës, posaçërisht vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, si dhe ta mbajë vëmendjen e botës në pushtimin brutal të Ukrainës nga Moska.
Samiti i 15-16 qershorit ishte kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Zvicra ishte pajtuar të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.
Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë.
Në samit mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas takimit më 16 qershor, delegatët u pajtuan për një deklaratë përfundimtare të samitit, e cila u përqendrua në tri çështje: thirrjen për nevojën për siguri bërthamore dhe ushqimore, kthimin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve të larguar nga Ukraina gjatë luftës.
Ihor Zhovka, zëvendësshefi i kabinetit të Zelenskyt, tha për gazetarë se Kievi ka vendosur të përqendrohet në këto tri çështje “sepse shumica e bashkësisë ndërkombëtare pajtohet me këto tri qëndrime sot”.
Një draft i dokumentit, i parë nga Reuters, i referohet pushtimit rus të Ukrainës si “luftë” – një term që Moska e kundërshton – si dhe bën thirrje që Ukraina ta ketë kontrollin në centralin bërthamor Zaporizhja, si dhe t’i kthehen asaj portet në Detin Azov.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të REL-it, Andriy Yermak, shefi i administratës së Zelenskyt, tha për gazetarë më 16 qershor se ky dokument do t’i dërgohet përfaqësuesve rusë të ftuar në samitin e radhës.
Në samitin për paqe më 16 qershor pritet të vendoset se kush do të jetë vendi nikoqir i konferencës së ardhmes.
Besohet se Arabia Saudite është njëra prej kandidateve kryesore. Ministri i Jashtëm saudit Faisal bin Farhan Al Saud tha më 15 qershor se mbretëria është e gatshme për të ndihmuar në procesin e paqes, por paralajmëroi se zgjidhja afatgjate varet nga “kompromiset e vështira”.
Kina, e cila e mbështet Rusinë, iu bashkua dhjetëra vendeve të tjera që munguan. Pekini ka thënë se është e nevojshme që në procesin e paqes të marrin pjesë edhe Rusia, edhe Ukraina.
Më 15 qershor, në ditën e parë të samitit, shumë liderë perëndimorë e dënuan pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke e cituar kartën e OKB-së për mbrojtjen e integritetit të saj territorial, dhe duke i hedhur poshtë kërkesat e Putinit për të hequr dorë nga toka për paqe.
“Një gjë është e qartë në këtë konflikt: E kemi një agresor, ai është Putini, dhe e kemi një viktimë, pra populli ukrainas”, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
“Rusia duhet ta kuptojë se ka kufij, siç çdo shtet tjetër, dhe ka edhe fqinj, si cdo shtet tjetër. Kjo bashkësi ndërkombëtare, arkitektura e re e sigurisë, mund të ekzistojë vetëm kur vendet e mëdha, më të mëdhatë, i njohin fqinjët e vet, i respektojnë ata dhe integritetin e tyre territorial”, tha presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.
Harris tha se propozimin e Putinit për paqe nuk ishte thirrje për bisedime, por thirrje “që Ukraina të dorëzohet”.
Ajo e përsëriti mbështetjet e plotë të SHBA-së për Ukrainën dhe njoftoi për një pako të re të ndihmës amerikane prej 1.5 miliard dollarësh për projekte të shumta, përfshirë për infrastrukturën e energjisë dhe sigurinë e civilëve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se “paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Rusisë”, por nënvizoi se Rusia i ka hedhur poshtë të gjitha thirrjet e përbashkët për paqe.
Para samitit, Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.
Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.
Biden, i cili nuk po merr pjesë në samitin për paqe në Zvicër me gjithë lutjet nga Zelensky, tha se SHBA-ja do t'ia dërgojë Ukrainës edhe një sistem kundërajror Patriot.
Së fundi, SHBA-ja i dha leje Ukrainës t'i përdorë armët amerikane për sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.