Ndërlidhjet

Liderët botërorë mblidhen në samitin për Ukrainën


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky flet me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, në samitin për paqe për Ukrainën në Lucern, Zvicër, 15 qershor 2024.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky flet me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, në samitin për paqe për Ukrainën në Lucern, Zvicër, 15 qershor 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka përshëndetur grumbullimin e liderëve botërorë në Zvicër të shtunën dhe ka bërë thirrje për gjetjen e një mënyrë për t’i dhënë fund pushtimit mbi dyvjeçar të vendit të tij nga Rusia. Megjithatë, mungesa e zyrtarëve rusë dhe kinezë i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.

Zelensky tha për gazetarë se përfaqësuesit e më shumë se 101 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare janë mbledhur në Buergenstok, një resort bjeshkor afër qytetit Lucern, për bisedime dyditore për paqe.

“Ne kemi arritur sukses në rikthimin e idesë se përpjekjet e përbashkëta mund ta ndalin luftën dhe të sjellin paqen”, tha Zelensky në fjalimin e tij hapës pranë presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.

“Liderët dhe udhëheqësia e secilit komb kanë rëndësinë e njëjtë për ne. Dhe, për çfarëdo që do të arrihet pajtim këtu sot, do të jetë pjesë e procesit për arritjen e paqes për të cilën kemi nevojë të gjithë ne. Besoj se do të jemi dëshmitarë të shkrimit të historisë këtu në këtë samit”, tha Zelensky.

Një ditë para samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i bëri thirrje Kievit të heqë dorë nga synimet për t’u bërë pjesë e NATO-s, dhe t’i dorëzojë plotësisht katër provincat ukrainase që Moska pretendon se i takojnë asaj.

Propozimi i Putinit, të cilin Kievi e quajti “absurd” dhe “manipulues”, është shenjë e vendosmërisë së Putinit për ta vazhduar konfliktin, duke e lënë nën hije samitin.

Ukraina kërkon rrugën drejt paqes në samitin pa Rusinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:44 0:00

Më shumë se 90 vende dhe organizata ndërkombëtare po marrin pjesë në takimet e samitit, i cili do të mbahet në një resort bjeshkor në qytetin Burgenstok.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, dhe liderët e Francës, Gjermanisë, Kanadasë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Japonisë, janë në mesin e atyre që pritet të marrin pjesë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në këtë samit, gjithashtu, konfirmoi të premten Zyra e saj.

India, Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë marrëdhënie miqësore me Rusinë, pritet të marrin pjesë gjithashtu.

Zvicra u pajtua të jetë nikoqire e samtit me kërkesë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për ta hapur rrugën për një proces të paqes në të ardhmen, i cili do ta përfshinte edhe Rusinë.

Por, Moska nuk u ftua fare në këtë samit, të cilin zyrtarët ukrainas e kanë cilësuar si “samiti për paqe”. Edhe para deklaratave të Putinit më 14 qershor, zyrtarët rusë e kanë hedhur poshtë samitin duke e cilësuar si të “pavlerë”.

Kjo e ka nxitur Kinën, e cila është partnere e madhe e Moskës në tregti dhe i mbështet shumicën e qëndrimeve të Moskës në arenën ndërkombëtare, vendosi të mos marrë pjesë.

“Çfarë mund [Zelensky] të shpresojë nga ky [samit]? Një hap tjetër të vogël drejt solidaritetit ndërkombëtar me Ukrainën si viktimë të agresionit rus”, tha për Reuters Daniel Woker, ish-ambasador zviceran.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt 2022, nuk po tregon shenja përfundimi. Megjithëse i ka pësuar së paku 350.000 ushtarë të vrarë dhe plagosur, sipas zyrtarëve amerikanë, ushtria e Rusisë ka vazhduar të çajë përpara.

Muajin e kaluar, Rusia e nisi një ofensivë në rajonin verior Harkiv. Por, Ukraina ia ka dalë ta frenojë atë, pasi dërgoi njësite të reja në atë pjesë dhe i përforcoi pozicionet.

Megjithatë, mungesa e armëve nga Shtetet e Bashkuara – pasi furnizimi ngeci për disa muaj për shkak të mosmarrëveshjeve në Kongres – i dha përparësi në fushëbetejë Rusisë. Rusia përfitoi edhe nga paaftësia e Ukrainës për të sjellë trupa shtesë në fushëbetejë.

Besohet Ukraina ka pësuar pothuajse humbje të njëjta në personel sikurse Rusia gjatë kësaj lufte.

Bisedimet në samitin në Zvicër pritet të përqendrohen në shqetësime më të gjëra të shkaktuara nga lufta si, ushqimi dhe siguria bërthamore, dhe liria e lëvizjes, sipas një drafti të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve ukrainas të marrë nga Rusia – një çështje që e nxiti Gjykatën Ndërkombëtare Penale të ngrejë aktakuzë kundër Putinit – pritet të jetë në agjendë gjithashtu.

Para samitit, Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Biden, i cili nuk po merr pjesë në samitin për paqe në Zvicër me gjithë lutjet nga Zelensky, tha se SHBA-ja do t'ia dërgojë Ukrainës edhe një sistem kundërajror Patriot.

Së fundi, SHBA-ja i dha leje Ukrainës t'i përdorë armët amerikane për sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.

XS
SM
MD
LG