Diskutimet se a po e shpërndan Pekini pareshtur sistemin e vet autoritar nëpër botë nuk kanë pushtuar për dekada, por një raport i ri bazuar në një numër dokumentesh qeveritare, dëshmon se si Kina është duke eksperimentuar me bartjen e modelit të saj tek vendet e tjera.
Raporti i ri, i publikuar më 13 qershor nga Këshilli Atlantik, një organizatë joqeveritare në Uashington, është i bazuar në 1.691 dosje nga Ministria e Tregtisë e Kinës, të cilat ishin publikuar në internet më 2021 dhe 2022.
Të dhënat përshkruajnë 795 programe qeveritare të përbëra nga trajnime dhe shkëmbime me zyrtarë të huaj, qëllimi i të cilave është, sipas dokumenteve, të promovojnë ide dhe praktika nga modeli ekonomik dhe politik i Kinës për vendet në Evropën Lindore, Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën Jugun Global.
“Kjo është dëshmi e mirëfilltë për ta mbështetur besimin në rritje tek komuniteti i ekspertëve”, tha për Radion Evropa e Lirë Niva Yau, autore e raportit në Këshillin Atlantik. “Tani mund ta dëshmojmë me vetë fjalët e Kinës, nga dokumentet e planeve të saj të brendshme, se çfarë po përpiqet të bëjë ajo”.
Zyrtarët kinezë kanë thënë vazhdimisht se Pekini nuk po e përhap sistemin e vet qeverisës autoritar, por grumbullimi i dosjeve qeveritare i shton dëshmitë që tregojnë se Kina po përpiqet t’i shesë meritat e modelit të saj tek zyrtarët e vendeve të Jugut Global, derisa njëkohësisht po zhvillon iniciativa dhe programe praktike për ta përshpejtuar zbatimin e tyre.
Modeli kinez
Partia Komuniste e Kinës (CCP) e ka ruajtur pushtetin e gjerë për më shumë se 70 vjet dhe ekonomia e saj ka lulëzuar në dekadat e fundit duke e përdorur modelin e bazuar në udhëheqjen autoritare politike njëpartiake, me një sistem ekonomik shtetëror dhe kapitalist.
Analistët e shohin promovimin e këtij sistemi në vendet e tjera në botë si një mënyrë e kultivimit të një blloku politik autoritar, i cili mund t’i ndihmojë Pekinit t’i ndryshojë institucionet globale dhe t’i luftojë përpjekjet e Perëndimit për ta izoluar Kinën përmes sanksioneve ekonomike dhe kritikave ndaj praktikave të saj ekonomike, pretendimeve territoriale dhe të drejtave të njeriut.
Shumë dokumente në raport i përshkruajnë programet e trajnimit, në fushat e ndërlidhura me tregtinë si, udhëzuesit për menaxhimin e porteve, zbatimin e BeiDou – përgjigje e Kinës ndaj Sistemit të Rreshtimit Global të krijuar nga SHBA (GPS) – dhe sektorët si blockchan dhe teknologjitë e tjera të reja.
Dosjet zbulojnë gjithashtu se si disa, jashtë Ministrisë së Tregtisë së Kinës, i promovojnë edhe programet e shkëmbimit me theks të veçantë për atë se si organizatat lokale mund të ndihmojnë në zbatimin e Nismës Brezi dhe Rruga (BRI) – projekti infrastrukturor miliarda dollarësh i Kinës – si dhe i shtyjnë politikat qeveritare kineze përmes programeve të lidhje me çështjet si, integrimi i pakicave etnike, menaxhimi i formave të reja të medias, dhe trajnimi për praktikat qeveritare kineze për këshilltarët presidencialë nga qeveritë e huaja.
Programet caktohen përmes marrëveshjeve dypalëshe, apo përmes organizatave shumëpalëshe rajonale të udhëhequra nga Kina, dhe ato përqendrohen në rajone specifike gjeografike dhe në grupe vendesh që kanë gjuhën e njëjtë.
Për shembull, shumë dokumente tregojnë se ka kurse trajnimi për liderë të qeverive lokale, presidentë universitetesh, dhe këshilltarë politikë “nga vendet ku flitet rusishtja”.
Programet e tjera janë bërë posaçërisht për zyrtarët nga shtetet anëtare të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim (SCO), e cila përbëhet nga Kina, India, Kazakistani, Kirgistani, Pakistani, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani.
Yau thotë se këto programe janë bërë për ta shitur në Jugun Global narrativen se përparimi i shpejtë ekonomik i Kinës në tri dekadat e fundit është pasojë e drejtpërdrejtë i qeverisjes autoritare të vendit.
“Këto dosje dëshmojnë se Kina po e shpërndan jo vetëm mënyrat se si e ka arritur suksesin e vet ekonomik, por edhe idenë se ky sukses buron drejtpërdrejt nga metodat qeverisëse të Partisë [Komuniste]”, tha ajo.
“Mbledhje informatash” dhe më shumë
Derisa shumë qeveri nëpër botë promovojnë shkëmbime praktike dhe trajnime me zyrtarët nga vendet e huaja, dosjet e shumta të dokumentuara nga Yau tregojnë se shumë programe kineze përdorin gjuhë të thatë qeveritare për ta shtyrë përpara në veçanti një qasje jodemokratike për çështjet si, rregullimin e mediave nacionale, menaxhimin e çështjeve ligjore, dhe kontrollimin e rrjedhës së informatave online.
Një tjetër përmasë e dokumentar nga raporti i Yau është se shumë programe, posaçërisht ato drejtuar zyrtarëve qeveritarë, duket se “shërbejnë për qëllime të grumbullimit të informatave”, sepse ato u kërkojnë “çdo pjesëmarrësi ta dorëzojë një raport të hollësishëm për shkëmbimet e tyre të mëparshme dhe angazhimet mes tyre dhe vendeve të tjera të huaja në fushën e bashkëpunimit në lidhje me temën e trajnimit”.
“Programi mund t’ia mundësojë [palës kineze] të vendosë nëse personi në fjalë mund të bëhet një lloj ndërmjetësi për ta lehtësuar bashkëpunimin mes Kinës dhe vendit të tij përkatës”, tha ajo.
Programet trajnuese të Kinës me qeveritë e huaja kanë ekzistuar për dekada nën ombrellën e Departamentit Ndërlidhës Ndërkombëtar (ILD), një agjenci e Komisionit Qendror të CCP-së, puna thelbësore e të cilit është diplomacia parti me parti.
Por, derisa detyra tradicionale e ILD-së ka qenë të angazhohet me vendet që udhëhiqen vetëm nga një parti apo nga struktura të ngjashme komuniste, ajo ka ndryshuar në vitet e fundit duke udhëhequr programe shkëmbimi pavarësisht orientimit të një partie politike.
Së fundmi, ILD-ja ka mbajtur takime me zyrtarë të lartë nga vendet si, Kazakistani dhe Serbia.
Raporti nënvizoi se si edhe pjesë të tjera të Qeverisë kineze kanë filluar të mbajnë takime të ngjashme të shkëmbimit. Përveç Ministrisë së Tregtisë, së paku 10 ministri dhe departamente kineze kanë mbajtur programe trajnimi për zyrtarët e qeverive të huaja në tri vjetët e fundit, sipas hulumtimit të Yau.
Yau thotë se po bëhet e qartë se Pekini është duke tentuar t’i përhapë jashtë vendit pjesë të modelit të vet politik. Më pak e qartë, thotë ajo, është ndikimi që po kanë përpjekjet e saj nëpër botë.
“Në këto dosje, ne mund ta shohim qëllimin që dëshiron ta arrijë Pekini”, tha Yahu.
“Mbase është tepër herët të ndihet ndikimi i tyre, por këto programe janë rritur shumë kah fundi i viteve 2010 dhe në to përfshihen mijëra zyrtarë nga Jugu Global”.