Ndërlidhjet

Ukraina vazhdon importimin rekord të rrymës, për shkak të dëmeve në infrastrukturën energjetike


Një punëtor duke e ndrequr një linjë të rrymës, pas një sulmi raketor në Harkiv, 6 prill 2024.
Një punëtor duke e ndrequr një linjë të rrymës, pas një sulmi raketor në Harkiv, 6 prill 2024.

Ukraina do ta vazhdojë importimin e rrymës në sasi rekorde, për ta plotësuar mungesën e energjisë elektrike, e cila vjen si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Rusisë në infrastrukturën energjetike ukrainase.

Operatori i rrjetit energjetik të Ukrainës, Ukrenerho, tha më 14 qershor se do t’i importojë 31.904 megavat rrymë në orë, duke e thyer rekordin e kaluar prej 29.796 megavat në orë të importuara në fillim të kësaj jave.

Ky njoftim vjen një ditë pasi Qeveria ukrainase tha se vendet anëtare të G7 u pajtuan për ta mbështetur sektorin e energjisë të Ukrainës me 1 miliard dollarë.

Rusia i ka rritur sulmet me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës prej marsit, duke shkaktuar reduktime të shpeshta të rrymës.

Kievi është detyruar të importojë rrymë nga Bashkimi Evropian për t’i mbajtur dritat ndezur.

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen sulme me dronë gjatë natës dhe mëngjesit të 14 qershorit, një ditë pasi Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Forcat e Armatosura të Ukrainës (FAU) thanë se kundërajrorët e tyre i rrëzuan të gjithë 17 dronët e llojit Shahed, me të cilët Rusia i sulmoi shtatë rajone ukrainase.

Rusia i shkrepi gjithashtu edhe 17 raketa balistike dhe lundruese, gjysma e të cilave u rrëzuan, sipas FAU-së.

Në Donjeck u plagosën nëntë persona, si pasojë e sulmeve ruse, kryetarit të administratës lokale, Vadym Filashkin. Shërbimi emergjent i Ukrainës tha se shtëpi dhe vetura u përfshinë nga zjarri në Harkiv Oblast.

Në Sumi, një autobus me 20 udhëtarë u sulmua nga një dron rus, thanë autoritetet lokale. Tri gra u plagosën si pasojë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan 87 dronë ukrainas në pesë rajone, si dhe në Gadishullin e Krimesë që është uzurpuar nga Kremlini.

Si pasojë e sulmeve kishte pengesa në furnizimin me rrymë në rajonin Rostov dhe u dëmtuan cisternat e naftës në një depo nafte në Vorondezh, sipas autoriteteve lokale.

Disa orë para sulmeve, liderët e G7-ës në Itali u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua.

Ata do t’i shfrytëzojnë të hyrat dhe normat e interesit nga asetet e ngrira ruse prej rreth 260 miliardë dollarësh, shumica e të cilave mbahen në Evropë, për ta siguruar huan prej 50 miliardë dollarëve nga SHBA-ja dhe hua të tjera shtesë nga vendet e tjera partnere.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha për gazetarë se marrëveshja “është një shenjë nga demokracitë kryesore të botës se ne nuk do të lodhemi duke e mbrojtur lirinë e Ukrainës dhe se [presidenti rus Vladimir] Putin nuk do të na mposhtë”.

Zona e luftimeve brutale ku trupat ukrainase po i zmbrapsin sulmet ruse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Biden tha se qëllimi është “të përforcohen kapacitetet mbrojtëse dhe frenuese të Ukrainës”.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë marrë zotime nga pesë vende, të cilat nuk i përmendi, për t’i dhënë Ukrainës raketa për kundërajrorin Patriot, si dhe sisteme të tjera për mbrojtjen ajrore.

Zelensky e quajti marrëveshjen e sigurisë “urë për kalimin e Ukrainës në NATO”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG