Ndërlidhjet

Djali i presidentit Biden, Hunter Biden, shpallet fajtor në gjyqin për armën


Hunter Biden.
Hunter Biden.

Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden është shpallur fajtor nga një juri të martën se kishte gënjyer rreth përdorimit të drogës për ta blerë jashtëligjshëm një revole.

Juria prej 12 anëtarësh në gjykatën federale në Delavere e shpalli fajtor Hunterin për të gjitha tri akuzat me të cilat ngarkohej ai.

Hunter u bë fëmija i parë i një presidenti amerikan që dënohet për një vepër penale.

Kur aktgjykimi u lexua, Hunter Biden, 54 vjeç, e tundi kokën lehtësisht, pastaj e përkëdheli avokatin e vet mbrojtës Abbe Lowell, dhe e përqafoi një anëtar tjetër të ekipi mbrojtës.

Babai i tij, Joe Biden, tha në një komunikatë se e pranon rezultatin e këtij rasti gjyqësor dhe se do ta respektojë procesin gjyqësor, teksa djali i tij po shqyrton mundësinë për të bërë ankesë.

“Jill dhe unë gjithmonë do të jemi pranë Hunterit dhe familjes sonë me dashuri dhe mbështetje. Asgjë nuk do ta ndryshojë këtë”, tha presidenti në një komunikatë.

Disa orë pas vendimit, Hunter Biden e lëshoi një komunikatë duke thënë se ndihet mirënjohës për mbështetjen që ia ka ofruar familja e vet.

"Sot jam më shumë mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen që e kam përjetuar këtë javë nga Melissa, familja ime, miqtë e mi, dhe komuniteti im, sesa i zhgënjyer me rezultatin [e gjyqit]", tha Hunter Biden.

Gjykatësi nuk caktoi datë për shqiptimin e dënimit të tij, por shtoi se kjo ndodh zakonisht brenda 120 ditëve. Kjo nënkupton se atij do t’i shqiptohej dënimi rreth jo më vonë se një muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit.

Hunter Biden ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat – dy akuza për deklarata të rrejshme dhe një akuzë për posedim të jashtëligjshëm të armës.

Prokurorët shfaqën mesazhe të shkruara, fotografi dhe regjistra bankare, për të cilat thanë se dëshmojnë se Hunter Biden ishte tejet i varur nga droga kur e bleu revolen në vitin 2018 dhe se ai me vetëdije e shkeli ligjin duke u përgjigjur “jo” në pyetjen nëse ishte përdorues i drogës në një formular federal.

Avokatët mbrojtës të Hunter u përpoqën të dëshmonin se ai nuk po përdorte drogë kur e bleu revolen dhe se nuk mashtroi, sepse nuk e vlerësonte veten si përdorues të drogës kur e mbushi formularin.

Gjyqi në prag të zgjedhjeve presidenciale

Gjyqi ndaj Hunter Bidenit u mbajt pas shpalljet së Donald Trumpit fajtor për vepër penale më 30 maj.

Trump u shpall fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë për ta mbuluar një skandal seksual, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Ai ka pretenduar, pa dhënë prova, se akuzat e shumta penale me të cilat përballet, janë orkestruar nga Joe Biden në përpjekje për ta parandaluar rizgjedhjen e tij president.

Të martën, fushata e Trumpit nuk tregoi shenja se ka ndryshuar qëndrim.

“Ky gjyq nuk është aq gjë tjetër pos largim i vëmendjes nga krimet e vërteta të Familjes Kriminale Biden”, tha zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Karoline Leavitt, në një komunikatë.

Kongresistët demokratë i kanë përmendur gjyqin ndaj Hunter Biden, si dhe gjyqet penale që po zhvillohen kundër dy anëtarëve demokratë të Kongresit, si dëshmi se presidenti Biden nuk po e përdor sistemin ligjor për qëllime të njëanshme.

Vetë presidenti Biden tha javën e kaluar se nuk do ta falte të birin, nëse ai shpallet fajtor.

Akuzat ndaj Hunter Bidenit u ngritën nga prokurori i posaçëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë, David Weiss, i cili ishte emëruar nga Trumpi.

Në një konferencë për media pas gjyqit, Weiss tha se rasti nuk kishte të bënte vetëm me varësinë, por edhe me zgjedhjet e jashtëligjshme që i kishte bërë Hunter Biden gjatë varësisë.

“Zgjedhja e tij për të gënjyer në një formular qeveritar kur e bleu revolen, dhe zgjedhja për të poseduar armë pastaj. Ishin këto zgjedhje, dhe përzierja e armës dhe drogën, që e bënë të rrezikshme sjelljen e tij”, tha Weiss.

Weiss e ka ngarkuar Hunter Bidenin edhe me akuza ta tjera për shmangie nga tatimi në Kaliforni, duke thënë se ai ka dështuar t’i paguajë 1.4 miliard dollarë tatime nga viti 2016 deri më 2019.

Hunter Biden është deklaruar i pafajshëm për këto akuza. Gjyqi ndaj tij për këtë çështje është caktuar për datën 5 shtator në Los Anxhelos.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG