Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, është sulmuar nga një burrë në një shesh të kryeqytetit Kopenhagë, njoftoi Zyra e saj të premten vonë.
“Kryeministrja Mette Frederiksen u rrah të premten në mbrëmje në [sheshin] Kultorvet në Kopenhagë nga një burrë, i cili u arrestua pastaj”, tha Zyra e saj në një komunikatë për media.
Kryeministrja është “e tronditur nga ky incident”, shtoi Zyra e saj, pa dhënë hollësi të tjera.
Policia daneze njoftoi në rrjetin social X se e ka arrestuar të dyshuarin dhe se është duke e hetuar incidentin, duke mos dashur të japë hollësi të tjera.
Sulmi ndaj saj ndodhi dy ditë para se danezët të votojnë në zgjedhjet evropiane.
Tri javë më parë, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë në një tentim-vrasje.
Frederiksen kishte marrë pjesë në një ngjarje për zgjedhjet për Parlament Evropian së bashku me kandidaten kryesore social-demokrate Christel Schaldemose të premten pasdite, raportoi transmetuesi danez TV2.
Partia e saj social-demokrate është partia më e madhe në koalicionin qeverisës.
Ministri danez i Mjedisit, Magnus Heunicke, shkroi në rrjetin social X: “Mette është e tronditur nga ky sulm. Më duhet të them se na trondit të gjithë neve që jemi të afërt me të”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e dënon “fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm”.
“Dhuna kundër secilit lider, është sulm ndaj frymës së demokracisë”, shkroi Osmani në X.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shkroi në X se ndihet i “tmerruar”.
“E dënoj fuqishëm këtë akt të shëmtuar agresioni”, shkroi ai.