Ndërlidhjet

Si funksionon marrëveshja për emigrantët mes Italisë e Shqipërisë?


Qendra e pritjes së migrantëve në Shëngjin.
Qendra e pritjes së migrantëve në Shëngjin.

Reuters

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, vizitoi këtë javë Shqipërinë, ku Qeveria e saj planifikon të ndërtojë një kamp pritjeje për emigrantët e kapur në det.

Në përpjekje për të frenuar migracionin në Itali, Meloni nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë vitin e kaluar, për dërgimin e disa azilkërkuesve atje dhe përpunimin e kërkesave të tyre për azil atje.

Çka parasheh marrëveshja?

Marrëveshja, fillimisht për pesë vjet, parasheh zbarkimin e 36.000 emigrantëve në vit në portin shqiptar të Shëngjinit - rreth 75 kilometra në jug të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që është duke u ndërtuar në një bazë ajrore pranë në Gjadër, e cila do të mund të strehojë 3.000 njerëz.

Të dyja objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.

A mund të dërgohet secili emigrant në Shqipëri?

Jo. Vetëm ata emigrantë që vijnë nga vende që Italia i konsideron të sigurta, do të mund të dërgohen në Shqipëri. Aktualisht, janë 21 vende të tilla, përfshirë Bangladeshin, Egjiptin, Bregun e Fildishtë dhe Tunizinë.

Vitin e kaluar, 56.588 emigrantë mbërritën në Itali nga këto katër vende.

Meloni tha vitin e kaluar se gratë shtatzëna, të miturit dhe personat e tjerë të cenueshëm nuk do të dërgohen në Shqipëri.

Sa do të kushtojë?

Qeveria italiane nuk doli me ndonjë shifër. Por, Corriere della Sera - gazeta italiane më e lexuar - vlerësoi se do të kushtojë rreth 653 milionë euro.

Si do të funksionojë?

Ideja është që emigrantët e përzgjedhur të dërgohen direkt në Shqipëri, pasi të merren në det. Meloni tha se zyrtarët do të përpiqen t’i shqyrtojnë kërkesat për azil brenda 28 ditësh - shumë më shpejt se aktualisht në Itali, ku duhen muaj.

Ata me kërkesa të miratuara azili, do të dërgohen në Itali.

Shumica dërrmuese e kërkesave pritet të refuzohen, sepse vendet nga vijnë emigrantët, konsiderohen të sigurta - gjë që i kufizon automatikisht gjasat e tyre për azil.

Ata me kërkesa të refuzuara do të dërgohen gjithashtu në Itali dhe do të vendosen në qendra të mbajtjes deri në riatdhesim.

Kritikët thonë se ky proces shkon shumë ngadalë, sepse shumë vende refuzojnë t’i pranojnë qytetarët e tyre, ose vendosin një numër të kufizuar për të kthyerit.

Shumë emigrantë, të cilëve u jepet urdhri i dëbimit, zhduken nga qendrat dhe shpërndahen nëpër Evropë.

Kur do të nisë të zbatohet marrëveshja?

Ishte menduar të fillonte këtë muaj, por objektet nuk janë ende të përfunduara.

Gazetat italiane spekulojnë se emigrantët e parë nuk do të mbërrijnë në Shqipëri deri në tetor ose nëntor.

Çka përfiton Italia nga marrëveshja?

Zyrtarët italianë thonë se marrëveshja mund të ndihmojë në zvogëlimin e mbipopullimit në qendrat e përpunimit të azilit në Itali.

Kritikët thonë se ajo synon t’i dekurajojë emigrantët në Afrikë që të mos nisen, sepse mund të përfundojnë në Shqipëri, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk është vend i pasur.

Çka përfiton Shqipëria nga marrëveshja?

Duke e ndihmuar Melonin, Qeveria e Shqipërisë siguron mbështetjen e saj teksa përpiqet të bëhet anëtare e BE-së.

Ajo, gjithashtu, po i tregon pjesës tjetër të Evropës se është e gatshme ta ndihmojë bllokun 27-vendesh që të përballet me një nga problemet e tij më të vështira në vitet e fundit.

Shqiptarët thanë se kjo është edhe një mënyrë për ta falënderuar Italinë, e cila pranoi mijëra shqiptarë që ikën nga varfëria, pas rënies së komunizmit në vitin 1991.

Si dallon kjo marrëveshje nga ajo e Britanisë së Madhe me Ruandën?

Britania do të dërgojë azilkërkues në Ruandë, por plani i saj dallon nga nisma e Italisë.

Dallimi kryesor është se emigrantët e dërguar në Ruandë, do të duhet të qëndrojnë atje, edhe nëse fitojnë statusin e refugjatit.

Një tjetër dallim është se emigrantët që dërgohen në Shqipëri, do të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndryshe nga ata në Ruandë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG