Ndërlidhjet

Borrell thotë se BE-ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë


Pamje me tym pas bombardimeve izraelite në Rafah në Rripin jugor të Gazës, më 31 maj 2024.
Pamje me tym pas bombardimeve izraelite në Rafah në Rripin jugor të Gazës, më 31 maj 2024.

Bashkimi Evropian (BE) mbështet plotësisht planin e paraqitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që do të mundësonte një armëpushim të qëndrueshëm në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare, tha kryediplomati i bllokut, Josep Borrell në një deklaratë.

Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, mes tjerash përfshin armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

“Bashkimi Evropian vlerëson përpjekjet e vendosura të SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit në lehtësimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, njëkohësisht duke garantuar sigurinë e Izraelit, për të cilën BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar”, thuhet në deklaratë.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

“Nevojitet urgjentisht një armëpushim i qëndrueshëm, për të siguruar mbrojtjen e civilëve, lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve, siguria dhe mirëqenia e të cilëve është shqetësuese, dhe për të rritur rrjedhën e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në Gazë”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Në fund, BE-ja u ka kërkuar palëve të pranojnë dhe përmbushin propozimin trefazor duke thënë se “është e gatshme të kontribuojë në ringjalljen e një procesi politik për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, dhe të mbështesë një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës”.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës - të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën - të vdekura ose të gjalla - nga trupat izraelite.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG