Ndërlidhjet

Partia në pushtet e Serbisë fiton Beogradin dhe qytete tjera


Një qendër votimi në Beograd, 2 qershor 2024.
Një qendër votimi në Beograd, 2 qershor 2024.

Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera.

Pas numërimit të më shumë se 92 për qind të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë - e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - mori 52.85 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, tha Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Beogradit (GIK).

Ky rezultat do t’i japë asaj 64 mandate në asamblenë komunale prej 110 vendesh të kryeqytetit serb, sipas GIK-ut.

Konkurrentja më e afërt e SNS-së, “Kreni-Promeni”, që do të thotë “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviq, doli e dyta me 17.61 për qind të votave, apo 21 mandate, tha GIK-u.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.

Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja.

Zgjedhjet në Luginë të Preshevës

Në Preshevë - komunë e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë - fitoren e shpalli Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik.

Kësaj partie i dha mbështetje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në Bujanoc - komunë e banuar po ashtu me shumicë shqiptare - fitoren e shpalli Arbër Pajaziti, nga lista zgjedhore Fronti për Ndryshim.

Megjithatë, organizatat që i monitoruan zgjedhjet, raportuan për një varg parregullsish, përfshirë blerjen e votave ose regjistrimin e dyfishtë të votuesve.

Manojlloviq tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet.

“Këto ishin zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, u tha ai mbështetësve.

Kandidati për kryetar të Beogradit, Savo Manojlloviq.
Kandidati për kryetar të Beogradit, Savo Manojlloviq.

SNS-ja dominon politikën e Serbisë për më shumë se një dekadë.

Serbia është kandidate për t’iu bashkuar BE-së nga viti 2012, por përparimi i saj drejt bllokut duket i ngadalshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG