Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, tha se ka nënshkruar ligjin kontrovers për “agjentët e huaj”, i cili shkaktoi protesta masive në këtë vend tash e sa javë.
Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, i vuri veto ligjit, pasi u miratua muajin e kaluar.
Por, vetoja e saj u përmbys në një votim parlamentar dhe, pastaj, ajo refuzoi ta miratonte masën.
Me Kushtetutën e Gjeorgjisë, nëse presidentja refuzon ta miratojë një ligj, pasi vetoja e saj anulohet nga ligjvënësit, i takon kryetarit të parlamentit ta bëjë një gjë të tillë.
Ligji - për të cilin kritikët thonë se është modeluar sipas një ligji rus, për të shtypur opozitën dhe zërat e tjerë kundër - kërkon nga OJQ-të që marrin më shumë se 20 për qind të fondeve nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj me ndikim”.
“Emocionet janë zbutur dhe shumë nga qytetarët që u janë bashkuar protestave të opozitës radikale, tashmë e kanë parë se ligji, në fakt, do të rrisë përgjegjësinë dhe llogaridhënien e organizatave joqeveritare dhe të financuesve të tyre”, tha mes tjerash Papuashvili.
Pas nënshkrimit nga Papuashvili, masa duhet të botohet në Gazetën Legjislative të Gjeorgjisë, për të pasur status ligjor.
Gjatë protestave disajavëshe kundër ligjit, qindra njerëz, përfshirë kundërshtarë politikë dhe gazetarë, u arrestuan.
Disa prej tyre mund të përballen edhe me vite burg.
Kritikët thonë se ligji u çua përpara nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane - e themeluar nga manjati gjeorgjian prorus, Bidzina Ivanishvili - me qëllim që ta çimentojë kontrollin e saj përpara zgjedhjeve të tetorit.
Presidentja Zurabishvili u bëri thirrje gjeorgjianëve që të mobilizohen për t'i fituar ato zgjedhje.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se zbatimi i ligjit do të ndikojë negativisht në aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.
Masa është kritikuar edhe nga SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e ish-republikës sovjetike në vitet e fundit.