Ndërlidhjet

LVV kërkon hapjen e urës mbi lumin Ibër


Ura mbi lumin Ibër. Fotografi nga arkivi.
Ura mbi lumin Ibër. Fotografi nga arkivi.

Gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje më 31 maj kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik, e cila që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, tha se çështje e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe "është mbyllur kjo çështje". Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.

"Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje", tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.

Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë "sipas standardeve evropiane".

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, tha ai.

kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin
kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin

Seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut ka vazhduar pa praninë e mediave.

Nga Lista Serbe, partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, thonë se ura nuk mund të hapet pa pëlqimin e komunitetit serb.

BE dhe KFOR: Gjithçka duhet të diskutohet dhe vendoset në dialog

Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se ka pasur shumë kriza dhe pak hapa për zgjidhjen e tyre, duke theksuar se blloku evropian është i interesat që të mos ketë kriza të reja.

“Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë", tha Stano përmes një deklarate për media më 31 maj.

"Vazhdojmë t’i ftojmë palët që të zbatojnë marrëveshjet e dialogut, e kjo vlen edhe për urën”, shtoi zëdhënësi i BE-së.

Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çdo vendim për urën mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin që derivon nga Kombet e Bashkuara për të ofruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, përfshirë përmes pranisë së vendosur në urën e Mitrovicës dhe patrullimeve në zonat përreth”, tha KFOR-i për Radion Evropa e Lirë.

"Ura është beton, problemi është se jemi ndarë në kokë”

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, tha para gazetarëve se organet e KK-së tashmë kanë marrë vendimin për hapjen e urës, dhe se topi është “në duart e institucioneve të tjera”.

Ai tha se ura duhet të hapet, njerëzit duhet të jetojnë bashkë, por shton se ura është beton dhe se problemi është se njerëzit janë “të ndarë në kokë”. Siç theksoi ai, ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit Komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët.

Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

“Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, tha Sadiku.

Ura mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndanë Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Vendimi për hapjen e urës u mor në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut prillin e vitit 2023, por ky vendim nuk është zbatuar ende.

Kjo komunë udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje - partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kjo parti tha se hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Lista Serbe, përmes një njoftimi, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.

Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe – ku gjendet edhe Mitrovica e Veriut – tensionet janë të larta që kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Në periudhën që ka pasuar, Prishtina zyrtare i ka zëvendësuar pjesëtarët e policisë nga komuniteti serb me pjesëtarë të komuniteteve të tjera, kryesisht nga ai shqiptar. Po ashtu, ka mbajtur zgjedhjet lokale, të cilat janë bojkotuar nga qytetarët serbë – gjë që u ka mundësuar, pastaj, kandidatëve shqiptarë të marrin pushtetin.

Që atëherë, kanë ndodhur disa kriza dhe incidente përfshirë edhe një sulm i një grupi serbësh ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, kur u vra një polic. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Po ashtu, popullata lokale ka shprehur pakënaqësi me vendimin e fundit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serbë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG